75 Mall Live Search
15:33 / E Hënë, 21 Dhjetor 2020 / OSH

Dua Lipa me performancë mahnitëse në emisionin “SNL”

Këngëtarja më prejardhje kosovare, Dua Lipa, ishte performuesja e radhës në episodin e fundit të emisionit komik “Saturday Night Life”.

Gjatë mbrëmjes ajo i interpretoi dy hitet e saj të fundit, “Don’t Start Now” dhe “Levitating”, të cilat u shoqëruan me performance fantastike e që e rrëmbyen vëmendjen e publikut mbarëbotëror.

Menjëherë pas transmetimit të shout të shtunën mbrëma, portalet dhe rrjetet sociale u pushtuan me fotografi nga paraqitja e Lipës në këtë skenë, duke marrë lëvdata të shumta për dukjen e saj, interpretimin e shkëlqyer live dhe performancat e shoqëruara me vallëzim.

Krijuesja e hitit “New Rules”, po ashtu debutoi si aktore komike në këtë shou i cili transmetohet live, pasi e pati një rol në një prej skeçeve të mbrëmjes.

Ajo e portretizoi një ushtare amerikane në kohën e Luftës së Dytë Botërore.

Ndërkaq gjatë mbrëmjes së diel, ylli i muzikës pop e shfrytëzoi Instagramin, për ta ndarë këtë eksperiencë dhe gëzimin e saj që ishte pjesë e shout të famshëm, me 57 milionë ndjekësit e saj në këtë rrjet social.

“Ishte një nder i veçantë të ftohesha për të performuar në skenën e ‘SNL’, në episodin e fundit të këtij shou për vitin 2020. Ndjehem me fat që e kam përmbyllur vitin me këto performanca, dhe për faktin se organizatorët ma besuan edhe rolin e aktores në një skeç të emisionit.

T’i shikoja të gjithë duke punuar me përkushtim dhe të isha pjesë e magjisë prapa këtij shou, ishte një eksperiencë të cilën nuk do ta harrojë kurrë. Kristen Wiig dhe i gjithë ekipi ishin shumë ‘cool’ dhe ende e ndjej energjinë pozitive që ma kanë dhënë. Faleminderit Lorne, Brian dhe Mel për gjithë përkrahjen tuaj. E falënderoj edhe gjithë ekipin tim që është më të vërtetë më i miri!!!”, kishte shkruan Lipa në postimin e saj.