75 Mall Live Search
12:38 / E Mërkurë, 30 Korrik 2025 / H F

Dua Lipa pritet të mbërrijë në Prishtinë, në prag të festivalit “Sunny Hill”

Ylli botëror i popit, Dua Lipa, pritet të arrijë në Prishtinë të mërkurën, vetëm tri ditë para nisjes së edicionit të pestë të “Sunny Hill Festival”-it, ku ajo do të jetë emri kryesor i mbrëmjes hapëse më 1 gusht.

Në një videomesazh drejtuar fansave disa ditë para mbërritjes, artistja me famë ndërkombëtare është shprehur e entuziazmuar, duke thënë “jam e lumtur që do të vij në shtëpinë time, në Prishtinë, javën e ardhshme”.

Sipas Lipës, ky do të jetë edicioni më i madh.

“Jam shumë krenare se sa shumë është rritur. Mezi pres t’ju shoh të gjithëve. Ju dua shumë”, deklaroi ajo.

Këtë vit, “Sunny Hill Festival”-i do të mbahet në Bërnicë të Epërme, në një hapësirë prej afro 17 hektarësh, e cila është transformuar në një qendër të muzikës moderne.

Skena kryesore, me përmasa monumentale prej 62 metrash gjerësi, mbi 30 metra thellësi dhe 18 metra lartësi, do të jetë nikoqire e emrave të mëdhenj si Shawn Mendes, Headie One, Anyma, Ledri Vula, Tayna, Era Istrefi, Kida dhe shumë të tjerë.

Lipa, në kuadër të turneut të saj botëror “Radical Optimism”, ka përzgjedhur vetëm Prishtinën si ndalesë për Evropën Juglindore. Nga Kosova, turneu do të vazhdojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e më pas në Amerikën Latine.

Lista e hiteve që pritet të elektrizojnë publikun përfshin tituj të njohur si: “Training Season”, “End of an Era”, “Break My Heart”, “One Kiss”, “Levitating”, “Love Again”, “New Rules” dhe “Houdini”.

Përveç skenës kryesore, festivali sivjet do të ofrojë edhe dy skena të tjera:

C4 Stage – me përmasa 34 metra gjerësi, 20 metra thellësi dhe 13 metra lartësi – është dizajnuar për artistë me energji alternative dhe eksperimentale, duke i mbajtur ritmet gjallë deri në orët e hershme të mëngjesit.

Tommy Gold, Peggy Gou, Skream, Fatboy Slim, Bookie, Sugar Rush, Mochakk dhe Artssassin janë artistët që do të performojnë në këtë skenë.

The Next Stage – një hapësirë e dedikuar për artistët e rinj dhe për publikun që kërkon përjetime jashtë skemës tradicionale muzikore.

Edicioni i vitit të kaluar kishte sjellë në Prishtinë emra si Bebe Rexha, Burna Boy, Stormzy dhe DJ Snake, ndërsa skena C4 ishte dominuar nga DJ-i i famshëm botëror “Black Coffee”. Për katër net me radhë, kryeqyteti ishte shndërruar në epiqendër të muzikës ndërkombëtare.

Këtë vit, fokusi është i padiskutueshëm Dua Lipa si fytyra kryesore e festivalit – jo më si spektatore, por si artistja që pritet të sjellë ndjesinë e skenave botërore në zemër të Kosovës.

Edicioni i sivjetmë i “Sunny Hill Festival-it 2025” do të mbahet nga data 1 deri më 3 gusht.