21:32 / E Enjte, 13 Qershor 2019 / indeksADMonline

“Duam Mbappen, duam Mbappen” tifozët e Realit nuk ngopen

Plot 50 mijë tifozë ishin sot të pranishëm në shkallët e stadiumit “Santiago Bernabeu” për t’i uruar mirëseardhjen belgut Eden Hazard. Një interes goxha i lartë, por gjithsesi larg rekordit të Cristiano Ronaldos, në prezantimin e tij me Realin e Madridit. Në vitin 2009 kur portugezi u transferua nga Manchester United tek “galaktikët”, në “Santiago Bernabeu” ishin prezentë 70 mijë tifozë.

Pavarësisht transferimit të bujshëm të Eden Hazard drejt Madridit, mesa duket, tifozët e Realit nuk janë të kënaqur, teksa presin një tjetër goditje të bujshme në merkato. Bëhet fjalë për francezin Kylian Mbappe.

Kjo gjë u vërtetua nga thirrjet e tifozëve në shkallët e stadiumit, teksa ishte duke u prezantuar Hazard.

“Duam Mbappen, duam Mbappen”, ishin thirrjet e tifozëve në korr, duke ia shprehur hapur kështu dëshirën e madhe në merkato, presidentit Perez.