Duet profesional dhe emocional, së shpejti bashkëpunimi Sabriu dhe Ermali
Këngëtari i njohur Ermal Fejzullahu njihet si një nga emrat më të dashur për publikun shqiptar.
Në një prononcim për Indeksonline, ka zbuluar planet e tij muzikore duke bërë të ditur se këtë verë nuk do të publikojë asnjë këngë të re për shkak të angazhimeve të shumta me koncerte.
Ai tha se gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë vazhdimisht jashtë vendit dhe se sezoni veror do ta gjejë të angazhuar pothuajse çdo natë me koncerte në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi dhe treva të tjera shqiptare.
“Për këtë verë nuk kom arrit me përgatit diçka, një këngë ose duet, për shkak që kam qenë i ngarkuar shumë. Gjatë gjithë kohës kam qenë jashtë vendit, me koncerte e mbrëmje. Tash sezona ka filluar, normal që do të jem i angazhuar çdo natë në shqiptari, gjithkund në Kosovë, Shqipëri e Mal të Zi. Por risia që do të jetë pas përfundimit të sezonit veror është një duet të cilin e kam përgatitur me babain. Ajo do të jetë si risi“, u shpreh Ermali.

Artisti foli edhe për motivimin që e mban aktiv në skenë prej vitesh, duke theksuar se dashuria e publikut mbetet forca më e madhe.
“Për atë se çka më motivon me qenë ende në skenë është dashuria e publikut dhe është diçka që e bëj me shpirt. Nuk mundem me paramendu jetën pa muzikë, duke e marrë parasysh që është diçka që e kemi të trashëguar. Gjithmonë i përulem dhe i falënderoj nga zemra publikun mbarë shqiptar kudo që janë“, përfundoi ai./Indeksonline/


