Dugolli thotë se e ndaloi vajza e udbashit: Është Police e Kosovës, s’ndjente asnjë lloj keqardhje për të bëmat e babait

Deputeti Enver Dugolli, ka deklaruar se sot është ndaluar derisa po dilte në pauzën e drekës nga vajza e Ajet Istogut, për të cilin ai kishte rrëfyer se e kishte torturuar gjatë qëndrimit të tij në burg.
Sipas Dugollit, ajo i ishte prezantuar si police dhe i kishte kërkuar të bisedojnë.
“Trashëgimtarët e UDB-ashëve s’ndjejnë keqardhje për të bëmat e baballarëve të tyre. Diku rreth orës 13:30, në kohën kur kryesuesja e parlamentit shpalli kohën e pauzës për drekë, unë dola nga hyrja e deputetëve dhe së bashku me një koleg timin deputet po nxitonin për të drekuar. Menjëherë aty tek laura e parkingut, një zonjë nxiton në drejtim timin duke më thirrur; ”z.Dugolli, a mund të ndaleni se kam një bisedë”, tha ai.
Suzana Istogu, sipas tij i ka kërkuar llogari për deklaratat që i ka dhënë për babain e saj.
“Thënë të drejtën njëherë më shkoi mendja që paska dalur të më shprehte keqardhje për ato tortura që m’i kishte shkaktuar prindi i saj, Ajet Istogu, por shumë shpejtë e kuptova që ajo veç keqardhje nuk kishte dalur të më kërkonte. Gjithnjë me mirësjellje i drejtohem: Po, është e vërtetë se kam thënë qe më vije keq për fëmijët e tyre, sepse besoj qe fëmijët nuk janë fajtorë për prindërit e tyre, aq më tepër që fëmijët nuk mund t’i zgjedhin baballarët. Ajo me një lloj shpërfillje ma kthen: ”Nuk është në rregull qe e përmendni babain tim Ajet Istogu, Ajet Istogu…sepse unë e njoh babain tim…”, ka shkruar Dugolli.
Sipas tij, ajo nuk ndjenjte asnjë lloj keqardhje.
“Menjëherë ja kthej, se ndoshta është e vështirë ta pranoni e kuptoni, por babai juaj ka qenë njeri i keq, më ka marrë në pyetje dhe më ka torturuar… dhe vazhdova pa dashur të vazhdoj një bisedë të tillë me atë zonjë e cila nuk ndjente asnjë lloj keqardhje…”
Tutje, ai bëri të ditur se ka vendosur që këtë rast ta lajmëroj në Inspektoratin e Policisë së Kosovës.