75 Mall Live Search
12:48 / E Mërkurë, 15 Tetor 2025 / H F

“Duhet ta kishe fituar për një javë, je në vitin e katërt”, Trump i zhgënjyer me Putinin: S’do ta ndalë luftën, po bën figurë të keqe

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kritikoi homologun rus Vladimir Putin gjatë një deklarate për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë të martën, duke thënë se udhëheqësi rus thjesht nuk dëshiron t’i japë fund luftës në Ukrainë.

“Shikoni, jam shumë i zhgënjyer sepse unë dhe Vladimiri kemi pasur një marrëdhënie shumë të mirë, ndoshta ende e kemi. Nuk e kuptoj pse ai vazhdon me këtë luftë. Kjo luftë ka qenë shumë e keqe për të. Po hyn në vitin e katërt të një lufte që duhet ta kishte fituar. Duhej ta kishte fituar për një javë. Tani po hyn në vitin e katërt. Ai ka humbur ndoshta një milion e gjysmë ushtarë, afërsisht. Sigurisht, në kuptimin e të plagosurve, njerëzve pa këmbë, pa duar dhe të gjitha gjërave që ndodhin në luftëra të tmerrshme. Është një luftë e tmerrshme”, tha Trump gjatë një aktiviteti me presidentin argjentinas Javier Milei, përcjell A2 CNN-i

“Duhet ta përfundojë këtë luftë. Dhe e dini që tani në Rusi ka radhë të gjata për karburant, apo jo? Ka radhë të gjata. Kush do ta kishte menduar se do të ndodhte kjo? Papritur ekonomia e tij po shembet. Dhe unë do të doja ta shihja të bënte mirë. Dua të them, kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Vladimir Putinin, por ai thjesht nuk do ta mbyllë atë luftë, dhe mendoj se kjo po e bën të duket shumë keq. Mund ta përfundonte. Mund ta kishte përfunduar shpejt. Dhe duhet të them, e vlerësoj, sepse kush do ta kishte menduar që Ukraina do të mund të luftonte kundër Rusisë për katër vjet, deri në një pikë ku janë baraz”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, pritet të takohet me presidentin Donald Trump në Uashington të premten, ku të dy do të diskutojnë për mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe aftësitë e saj për goditje në distanca të gjata.