Duka: Ja cilën skuadër preferoj në Europian

Presidenti i FSHF-së, Armando Duka ka rrëfyer emocionet e kualifikimit të Shqipërisë në Kampionatin Evropian, menjëherë sapo zbriti nga avioni në Rinas.
Duka në një intervistë për SuperSport, falënderoi protagonistët e kualifikimit dhe shprehu një dëshirë për shortin, transmeton IndeksOnline.
A ishte ky një nga udhëtimet më të bukur?
Një nga udhëtimet më të bukur. Ishte një fund i lumtur, pasi jemi shumë të kënaqur me kualifikimin. Punuam shumë dhe morëm atë që kemi merituar në fushë.
E prisnit kualifikimin sot?
Isha i bindur që do të siguronim kualifikimin sot. Prisja një fitore, por edhe barazimi na mjaftoi. Tani kemi edhe një ndeshje dhe duhet ta vlerësojmë maksimalisht, për ta mbyllur edicionin me fitore.
A është kjo Shqipëria më e fortë?
Besoj se është skuadra më e mirë, pasi janë të gjithë djem që luajnë me skuadra të mëdha. Kanë bërë një edicion shumë të mirë dhe dua t’i falënderoj për atë që kanë dhënë. Falënderoj edhe stafin e tifozët që kanë qenë fantastikë në këtë rrugëtim.
Cilën skuadër do të preferonit në grupet e Europianit?
Nuk kam preferenca për shortin, por do të preferoja që të ishim ne ata që hapim Europianin me Gjermaninë.
Duket se bluza e zezë na sjell fat…
Ngjyra jonë është e kuqja dhe do të dëshironim gjithmonë me atë, por ndonjëherë detyrohemi të luajmë edhe me bluzën e zezë. Na ka ecur mirë, pasi e kemi veshur këtë fanellë edhe në Armeni, kur siguruam kualifikimin.