Duka: Ndërprerja e kampionatit ka pasoja financiare, duhet gjetur një zgjidhje e mesme

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, kërkoi nga qeveria që të nxjerrë udhëzime për ndërprerjen e aktiviteteve sportive, artistike etj, për 2 javë për shkak të infektimit të 2 personave me koronavirus.
Në studion e “Pressing” të “ABC News”, kreu i futbollit shqiptar kërkoi që kjo situatë të menaxhohet sa më mirë, pasi ndryshe do të ketë pasoja financiare te klubet e futbollit shqiptar.
Personalisht, ai u shpreh kundër ndërprerjes së kampionatit.
Ditën e sotme, FSHF-ja vendosi që dy takimet e orës 18:00 të Kategorisë Superiore, Vllaznia-Partizani dhe Skënderbeu-Kukësi, të luhen pa tifozë.
“Menaxhimin e futbollit për shkak të koronavirusit është pak e vështirë që ta parashikosh. Jemi të informuar për vendimin e qeverisë. Se çfarë do të bëhet me kampionatin, është një gjë që duhet të nxjerrin nesër akte dhe udhëzime. Duhet të ketë diskutime. Pasojat do të jenë të mëdha. Gjetëm një zgjidhje oportune për sot, që mund të kontestohej. Futbolli, biznesi janë pas shëndetit. Duhet të gjendet zgjidhja e mesme.
Moszhvillimi i ndeshjeve ka pasoja për këto biznese. Janë 20 mijë lojtarë dhe 5 mijë të tjerë që shërbejnë në futbollin shqiptar. Nëse ndalohet, do të ketë dhe pasoja ekonomike. Ka shumë detaje se kur mund të zëvendësohen ndeshjet, marrim dot apo jo pjesë në Europë.
Nuk do të isha për masa kaq drastike për ndërprerje, po të më pyesje personalisht”, përfundoi Duka.