75 Mall Live Search
09:47 / E Hënë, 11 Mars 2019 / indeksADMonline

Duka takohet me Edi Ramën, kërkon përfshirjen e policisë në stadiume

Pas takimit të presidentit të FSHF-së, Armand Duka, me kryeministrin Edi Rama, është lënë sot për në orën 11:00 mbledhja e shumëpritur për zgjidhjen e disa problematikave të futbollit shqiptar. Vetë FSHF ka njoftuar dje mediat se do të jetë një takim i hapur.

“FSHF ka kënaqësinë për t’ju ftuar në tryezën e përbashkët me qeverinë shqiptare, me temë: ‘Siguri-Reformim-Modernizim’”, citohej në njoftimin e institucionit të futbollit.

Në ambientet e hotel “Tirana International”, në praninë e kryeministrit, përfaqësuesve nga Ministria e Sportit dhe drejtuesve të FSHF-së, nuk do të mungojnë as drejtuesit e klubeve elitare të futbollit shqiptar.

“Panorama Sport” mëson se nuk janë ftuar të gjithë presidentët e klubeve, por gjithsesi sot e rëndësishme së pari do të jetë zgjidhja që mund t’u jepet propozimeve që do të bëjë FSHF dhe klubet. Kërkesa kryesore është rikthimi i policisë në stadiume dhe ndryshimi i ligjit për sportin.

Gjithashtu, një kërkesë parësore do të jetë që dhunuesit në sport të dënohen, duke u bërë pra një vepër penale. Pritet që të diskutohet edhe për mbështetjen financiare të qeverisë në futboll, pasi FSHF është e vetmja federatë që nuk merr një grant nga qeveria. Pritet një takim i hapur, ku nuk përjashtohet mundësia që kryeministri të ketë përballë edhe vëllanë e tij, Olsi Rama, i cili është drejtor i Partizanit.

Sipas të gjitha gjasave, kreu i qeverisë do të miratojë kërkesat e grupeve të interesit, ku natyrisht pjesë e diskutimit mund të jetë edhe fakti që sponsorët e klubeve nuk kanë lehtësira fiskale. Madje, një shembull për t’u parë në këtë aspekt është pikërisht Kosova, e cila në ligjin për sponsorizimin u jep një shtysë donatorëve. Me shumë mundësi, FSHF do të prezantojë një paketë të përbashkët para kryeministrit, me shpresën se gjithçka do të miratohet.