75 Mall Live Search
12:30 / E Hënë, 30 Tetor 2023 / L K

Duka tregon për raportet me FFK-në dhe vendimin e lojtarëve kosovar për të luajtur me Shqipërinë

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka thënë se raportet me Federatën e Futbollit të Kosovës janë të shkëlqyera.

“Më vjen shumë keq për këtë lloj diskutimi apo debati, që më shumë duket mediatik sesa faktik, pasi marrëdhëniet tona me Federatën e Futbollit të Kosovës, me drejtuesit e saj, me Presidentin Agim Ademi janë të shkëlqyera dhe më shumë sesa të shkëlqyera. Bashkëpunimi jonë është në të gjitha fushat. Duke pasur parasysh specifikat, nuk mundemi ne të refuzojmë futbollistë shqiptarë për të luajtur me Shqipërinë. Ky është paradoks. Përderisa i gjithë populli, për arsye të historisë që mbase jemi në dy apo më shumë shtete, jemi një komb dhe dëshirojnë të kontribuojnë, të luajnë për ekipin kombëtar. Ne nuk mund t’ua mbyllim derën, përkundrazi e kemi hapur dhe do vazhdojmë ta hapim. Kjo nuk i cënon. Në një lloj mënyre mund të konsiderohet që ky futbollist mund të kontribuonte për ekipin e Kosovës, u dëmtua ekipi i Kosovës. Por mendoj se dëshira e futbollistëve dhe ndjenja nacionaliste për Shqipërinë nuk kanë pse të cënohen nga ne. Nëse do ta kalojmë në anën tjetër, që t’i themi jo çdo futbollisti, çdo shqiptari me origjinë nga qytetet e Kosovës apo Maqedonisë së Veriut, besoj se do të jemi shumë më të kritikuar dhe më të penduar që nuk u japim shansin dhe i mbyllim derën një shqiptari. Kështu që të dyja anët kanë diskutime. Mendoj që diskutimet më pozitive janë në rastin konkret, ku gjithë shqiptarëve u jepet mundësia për të kontribuuar për Kombëtaren. Mos të harrojmë që ne këtë politikë ka shumë vite që e ndjekim, edhe kur nuk kishte apo kishte ekip përfaqësues Kosova, apo ka apo nuk ka Maqedonia apo vendet e tjera. Këto zhvillimet demokratike kështu janë, çdo njeri duhet të jetë i lirë të kontribuojë atje ku është. Të tjerat pastaj janë diskutime. Ne kemi lojtarë me origjinë nga Shqipëria që luajnë për Kombëtare të tjera, Italinë, Greqinë apo vende të tjera. Ka edhe shumë nga Kosova, që luajnë në më shumë se 10 kombëtare të Europës. Të gjithë do luajnë aty ku duan, por më e mira është të luajnë për Shqipërinë” ka thënë Duka.