Duke ironizuar, Çeku kundërshton ardhjen e Gjokoviqit në Kosovë

Tenisti serb, Novak Gjokoviq, ka thënë se do të donte të vinte në Kosovë.
Në një intervistë për “Corriere della Sera”, Gjokoviq është shprehur se do të donte të vinte në Kosovë dhe të pagëzonte fëmijët e tij, meqë babai i tij ka lindur në Mitrovicë.
“Dua të kthehem në Kosovë, me gruan time Jelenan, për t’i pagëzuar fëmijët tanë, Stefanin tash 8-vjeçar dhe Tarën 5-vjeçare. E di që tema është shumë e ndjeshme. Konflikti është ende aty, jo me armë për momentin, por ndihet tensioni. Nuk dua të përfshihem në politikë, por për çdo serb, Kosova është zemra, është qendra e kulturës, e identitetit tonë, e traditës, e fesë sonë” provokoi Gjokoviq.
Por, me një hyrje të tij në Kosovë mesa duket nuk pajtohet ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Deklaratës së Gjokoviqit, Çeku i ka reaguar duke thënë se i ndalohet hyrja pa vaksinë.
“S’ka vaksinë, s’ka hyrje” ka ironizuar Çeku duke risjellur rastin e Gjokoviqit në Australi, ku nuk iu lejua pjesëmarrja në Grand Slam-in “Australian Open”, pikërisht për shkak se nuk kishte vaksinat anti-COVID.
Duke ironizuar me çështjen e vaksinës, Çeku i ka bërë me dije këtij të fundit se nuk ka çfarë të kërkojë në Kosovë.
Kujtojmë se Gjokoviq u deportua nga autoritetet australiane pasi serbi refuzonte të vaksinohej kundër coronavirusit.
Ai gjithashtu njihet edhe si një anti-kosovar dhe nacionalist serb.