19:46 / E Hënë, 10 Gusht 2020 / indeksADMonline

Dumoshi i kërkon Zemajt të rivlerësoj masat anti-Covid për sportistët

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka zhvilluar një takim me ministrinë e Shëndetësisë, Armend Zemaj, të cilit i ka kërkuar që të bëhet një rivlerësim i masave anti-Covid e që prekin sportistët kosovar.

Dumoshi ka thënë se ka pasur kërkesa të vazhdueshme nga organizatat sportive, andaj dhe konformë përgjegjësisë së saj, ka vepruar.

“Gjatë takimit u dakorduam që të bëhet një ri vlerësim I situatës epidemiologjike e cila është e vështirë, por çdo herë duke parë angazhimin e fushës së sportit si prioritet në mënyrë që të ofrohet mbështetja profesionale për Grupin Këshillëdhënës në kuadër të MSH-së sipas rekomandimeve nga manualet e organizatave ndërkombëtare të sporteve veç e veç”, ka shkruar Dumoshi në Facebook.

Tutje Dumoshi ka thënë se duke pasur parasysh aftësinë e sportit për të kontribuar në mirëkuptimin e ndërsjellë në organizimin e stërvitjeve, ngjarjeve dhe duke iu nënshtruar situatës epidemiologjike në Kosovë, ka kërkuar që sipas rekomandimeve te IKSHP-së sportistët, trajnerët dhe tifozët duhet të rikthehen në mënyrë të sigurt, duke marrë parasysh natyrën specifike te sportit.

“Relaksimi i masave specifike të vendosura në sektorin e sportit për të penguar përhapjen e epidemiologjisë duhet të vazhdojë me kujdes dhe në mënyrë graduale”, ka përfunduar ajo.