14:30 / E Enjte, 29 Tetor 2020 / Blerim

Dumoshi në Ferizaj, përurohen fushat e tenisit, vihet guri themeltar i Pallatit të Kulturës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, të enjten ka vizituar Ferizajn. Së bashku me kryetarin e kësaj komune, Agim Aliu, kanë përuruar kompleksin e fushave të tenisit, investim kapital ky që ka kapur vlerën prej 100 mijë eurosh.

Përveç kësaj, u vendos edhe guri themeltar i Pallatit të Kulturës, qendër multifunksionale e cila do të do të përfshijë qendrën rinore, teatrin dhe bibliotekën.

Ministrja Dumoshi, u zotua se do të përkrahë vazhdimisht Komunën e Ferizajt edhe në projekte të tjera kulturore e sportive.

“Jemi në Ferizaj për të përuruar fushat e tenisit. Ky sport po merr formë kemi tenistë shumë të mirë si vajza dhe djem, të cilët na përfaqësojnë nëpër vende të ndryshme evropiane dhe vijnë me suksese të mëdha. Ministrja e Kulturës ka financuar dhe vazhdon të financojë komunën e Ferizajt dhe bëj thirrje që të kenë bashkëpunim të ngushtë me federatën tonë të tenisit e cila e ka pjesën profesionale por edhe të themelohen shkollat e tenisit për gjeneratat e reja. Gjithashtu edhe në pjesën e qendrës multifunksionale e cila është një objekt unik. Ne do të financojmë në pjesën e kulturës me qendra rinore dhe sport”, ka thënë Dumoshi.

Ndërkaq, kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se komuna që ai e udhëheq për herë të parë po përuron terrene tenisi në Ferizaj, për çka u shpreh mirënjohës për kontributin e MKRS-së.

“Sot me ministren vendosëm gurthemelin e një objekti unik në Republikën e Kosovës, bëhet fjalë për pallatin e kulturës respektivisht qendrën multifunksionale, e cila ka një vlerë prej 3.3 milion euro dhe që praktikisht aty do të jetë pjesë edhe galeria e artit, muzeu i qytetit dhe salla tjera përcjellëse të cilat kanë ardhur si rezultat i një konkursi publik. Falënderoj ministren që për herë të parë inauguruam terrene të tenisit në Ferizaj, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të MKRS-së në Ferizaj”, ka thënë ai.