75 Mall Live Search
16:53 / E Diele, 13 Prill 2025 / FR

Duraku kritikon për mosmbështetje të sigurimeve bujqësore: Ministria ka braktisur fermerët në kohë krizash

Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi në Komunën e Rahovecit, Berat Duraku, ka reaguar ndaj deklaratës së fundit të ministrit në detyrë të Bujqësisë, z. Faton Peci, lidhur me subvencionimin e primit të sigurimit bujqësor.

Përmes një postimi në facebook, Duraku ka hedhur poshtë pretendimet e ministrit, duke i cilësuar si të pavërteta dhe duke renditur disa fakte që sipas tij, dëshmojnë dështimin institucional në këtë drejtim.

Sipas Durakut, sigurimet bujqësore në Kosovë janë zbatuar nga viti 2017 deri në fund të vitit 2023 nga organizata ndërkombëtare IFC, që është një degë e Bankës Botërore. Ai thekson se pas përfundimit të mandatit të IFC-së, përgjegjësia për këtë projekt i është kaluar Ministrisë së Bujqësisë në vitin 2024, por kjo e fundit ka dështuar ta zbatojë skemën, shkruan IndeksOnline.

“Sigurimet bujqësore në Kosovë kanë qenë të implementuara nga viti 2017 deri në dhjetor të vitit 2023 nga organizata ndërkombëtare IFC – që është degë e Bankës Botërore;

Pas kësaj periudhe, në vitin 2024, IFC ia ka dorëzuar këtë projekt Ministrisë së Bujqësisë, mirëpo përkundër kësaj përgjegjësie, Ministria ka dështuar ta implementojë skemën;

 Në thirrjen për aplikim të këtij viti, 2025, skema për sigurimet bujqësore nuk është e përfshirë në Programin për Pagesa Direkte, çka e bën të qartë se asnjë fermer nuk përfiton subvencion për primin e sigurimit nga ana e Ministrisë”, ka shkruar Duraku.

Ai e ka quajtur të papranueshme që në kohën kur fermerët po përballen me dëme të mëdha nga fatkeqësitë natyrore, siç janë ngricat e fundit, Ministria të mos marrë përgjegjësi dhe të shmanget nga ofrimi i zgjidhjeve konkrete, por në vend të kësaj – sipas tij – të manipulojë me të vërtetën.

“Respekt për të gjithë fermerët e Komunës sonë – njerëz punëtorë e të palodhshëm, të cilët edhe në kushte të vështira nuk ndalen së kultivuari dhe prodhuari! Ata meritojnë mbështetje të sinqertë dhe jo deklarata që nuk janë reale,” përfundon deklarata e Durakut.

Ndërsa ka rikujtuar se Komuna e Rahovecit është e gatshme të vazhdojë të kontribuojë për sigurimet bujqësore, siç ka bërë në të kaluarën, duke subvencionuar me 15% të shumës së primit të sigurimit./IndeksOnline//