15:47 / E Enjte, 15 Dhjetor 2022 / S Z

Duraku:Oda e Fizioterapeutëve me krahasim skandaloz, jo të drejtë dhe jo të sinqertë

Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës (OFTK) ditë më parë ka reaguar lidhur me Ligjin e ri të Pagave në sektorin publik duke shprehur shqetësimin për mënyrën e vlerësimit të punës së fizioterapeutëve në sektorin publik, duke ulur koeficientët për fizioterapeutët nga 7.2 në 5.6,5.5,5.4. Kjo ulje koeficienteve sipas OFTK është diskriminuese dhe mos vlerësuese për punën e fushës së fizioterapisë.

” Bazuar në projektligjin e ri, diferenca në koeficient është jashtëzakonisht e madhe kur bëjmë krahasimin të një mjeku specialist dhe një Fizioterapeuti, gjë që diferenca ndërmjet tyre në koeficient me ligjin e ri është 100 përqind, ndërkaq aktualisht diferenca ndërmjet këtyre kategorive ka qenë 20%. Një krahasim i tillë është i paprecedent dhe i papranueshëm nga ana jonë për këtë rangim. Krahasimi i koeficientit me një teknik shëndetësor,  është skandaloz ku dihet se cilat janë detyrat dhe përgjegjësit e fituara gjatë studimeve bazë të fizioterapeutit”, thuhej në reagimin e OFTK.

E lidhur me këto që janë thënë  në reagimin e OFTK-së, ka reaguar kryetari i Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, Enlirat Duraku,i cili  e ka quajtur skandaloz reagimin dhe krahasimet që i ka bërë OFTK -së .

Reagimi i plotë i Durakut:

OFTK nuk keni bërë krahasim adekuat !

Me gjithë respektin për profilin e fizioterapeutëve, duke e vlerësuar rëndësinë dhe përkushtimin e tyre në punë, padyshim edhe nevojën që qytetarët kanë për shërbimet e tyre, mirëpo nuk jeni më të rëndësishëm për qytetarin se sa infermieri.

Nëse nisemi nga logjika e rëndësisë, produktivitetit dhe vëllimit të punës,

propozimi im për koeficient pagash do ishte si në vijim :

1. Grada master në infermieri – koeficienti 9.0,

2. Infermier Bsc – koeficienti 8.0

3. Infermier me shkollim të mesëm – koeficienti 7.2

Një teknik i anestezionit, një infermieri në Qendrën Emergjente, një instrumentare në sallat operative si dhe shumë profile të tjera nuk duhet të jenë subjekt komparativ me profilet tjera.

Sa i përket reagimit lidhur me kategorizimin në bazë të nivelit të sistemit shëndetësor për profilet tona, absolutisht pajtohem, mirëpo fatkeqësisht në sektorin e shëndetësisë është shuar sindikalizmi, nuk ka mbrojtje të interesave kolektive, ndërsa është në dorën tonë që individualisht apo edhe në mënyrë kolektive të bëjmë atë që është e mundur që komunitetet tona të kenë trajtimin e duhur duke respektuar ligjet, përndryshe do krijohet një pabarazi e madhe sociale, kaos në sistemin shëndetësor, rritje e motivimit të profesionistëve që t’a lënë vendin, ndërsa padyshim që shumë shërbime në një të ardhme të afërt do rrezikohen seriozisht.