Durmishi i VV-së kërkon nga kushtetuesja të nxjerr më shpejt vendimin për Tinka Kurtin

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Hysen Durmishi, ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të nxjerrë sa më shpejt vendimin për Tinka Kurtin.
“Tinkës i është pamundësuar që të jetë deputete, duke iu referuar një dispozite absurde të Ligjit për zgjedhje ku thuhet se një deputet zavendësohet nga deputeti i gjinisë së njëjtë në rastin kur një deputet e liron vendin e tij”, ka shkruar Durmishi në llogarinë e tij në Facebook, transmeton IndeksOnline.
Shkrimi i tij i plotë:
Gjykata Kushtetuese duhet sa më shpejt të dalë me aktgjykimin për rastin Tinka Kurtit në mënyrë që të mos na përsëritet në legjislaturën e ardhshme.
Tinkes i është pamundësuar që të jetë deputete duke iu referuar një dispozite absurde të Ligjit për zgjedhje ku thuhet se një deputet zavendësohet nga deputeti i gjinisë së njëjtë në rastin kur një deputet e liron vendin e tij.
Po e marr një rast hipotetik: supozojmë që VV-ja në zgjedhjet e ardhshme do të fitojë 61 deputetë. Në listën e kandidatëve të VV-së do të jenë 33 gra ( kuota minimale) dhe të gjitha zgjidhen deputete plus 28 burra. Deri këtu jemi në rregull me kuotën gjinore. Në rast se ndonjëra nga gratë e liron postin e deputetes dhe bëhet ministër-re atëherë si do të bëhet zëvendësimi i saj? Gra të tjera nuk ka në listë. Si do të zbatohet kjo dispozitë e Ligjit për zgjedhjet?
Prandaj kjo dispozitë është absurde dhe duhet urgjentisht përgjigje nga Gjykata Kushtetuese që të mos përsëritet më rasti si i Tinkës që iu bë një padrejtësi e madhe.