75 Mall Live Search
13:40 / E Hënë, 22 Dhjetor 2025 / P M

Durmishi takon myftiun e Kosovës, falënderon për kontributin e tij dhe të BIK-ut para dhe pas luftës

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Hysen Durmishi, ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës. Ai është pritur nga myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, së bashku me bashkëpunëtorët e tij. Durmishi ka bërë të ditur se gjatë takimit është biseduar për bashkëpunimin institucional, në frymën e mirëkuptimit dhe në shërbim të interesit shtetëror.

“Sot takova myftiun e Republikës së Kosovës, z. Naim Tërnava, me bashkëpunëtorët e tij. Biseduam për bashkëpunimin institucional, në frymën e mirëkuptimit dhe në shërbim të interesit shtetëror. Falënderova myftiun dhe Bashkësinë Islame të Kosovës për kontributin e tyre para dhe pas luftës”, ka shkruar Durmishi. Hysen Durmishi është kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe në listën zgjedhore të kësaj partie garon me numrin 24.