75 Mall Live Search
10:28 / E Premte, 15 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Duro flet për aventurën në Kosovë dhe garën për titull në Shqipëri

Shpëtim Duro drejtoi vetëm për pesë muaj kampionët në fuqi të Kosovës, Drita e Gjilanit. Trajneri që ka fituar trofe në Shqipëri, në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport” flet për aventurën në Kosovë, si dhe duelin për titull në Kategorinë Superiore.

Ai guxon të deklarojë se kampionati do të ndahet që këtë javë: “Nëse Kukësi nuk fiton në Durrës, jam i bindur se Partizani e ka të sigurt titullin”.

Çfarë ndodhi në eksperiencën tuaj të parë si trajner i një ekipi kosovar?

Që në takimin e parë në Tiranë me drejtuesit e Dritës, ata e dinin shumë mirë që unë kam qenë i dyzuar për të pranuar këtë aventurë. Natyrisht, bëhet fjalë për një skuadër kampione në fuqi dhe për mua ishte vlerësim, por njëkohësisht situata ishte shumë e vështirë pas një fillimsezoni me 5 humbje radhazi.

Fakti se ishte shpallur kampion dhe pritshmëritë në opinion ishin të mëdha, e bënte edhe më të vështirë punën, për më tepër që kishte pasur edhe ndryshime të rëndësishme në skuadër. Ishte larguar Kastriot Rexha, sulmuesi kryesor në sezonin që fituan titullin. Përtej dyshimeve që kisha, e pranova ofertën, por që në ditën e parë nuk i garantova se mund të fitonim sërish titullin, në një kohë që e mora skuadrën në vendin e parafundit.

E nisët me një fitore ndaj Prishtinës së Josës…

Në fakt bëmë 5-6 fitore radhazi dhe duke parë kalendarin mendoja se do të afrohesha shumë me kryesuesit e Prishtinës dhe Feronikelit, por fati i keq i yni ishte se rivalët nuk po linin pikë. Në këto kushte, mbeti e njëjta distancë dhe një gabim të nxjerr direkt nga loja. Ishte si situata e tanishme e Partizanit me Kukësin. Në fillim kur shkova isha i qartë se duhej të fokusoheshim te Kupa. Duke qenë se vetëm fituesi i titullit dhe Kupës kualifikohet në Europë, rruga më e mirë ishte nga Kupa.

Dorëheqja erdhi menjëherë pas eliminimit nga Kupa…?

Keqardhja më e madhe është se pas përgatitjeve të mira që bëmë në janar, u eliminuam nga Vëllaznimi. Sistemi i Kupës në Kosovë është me një ndeshje dhe ndodhi ajo që ndodhi. U mendova mirë dhe mora një vendim të arsyeshëm dhe profesional. U thashë drejtuesve se pasi dolëm nga objektivat unë do të sakrifikoj veten time, në mënyrë që të krijohet një lloj qetësie në klub. Nuk u nisa aspak nga interesi, pasi kisha edhe tre muaj kontratë. Puna e trajnerit është që ta zgjedhësh ekipin në momentin e duhur. Ndryshe do të ishte nëse e merrja që nga fillimi dhe e ndërtoja vetë.

Çfarë ka më mirë dhe më keq në këtë moment Kosova në krahasim me Shqipërinë?

Shqipëria është më e avancuar në aspektin e infrastrukturës. Në Kosovë e vuajnë shumë këtë, pavarësisht se kushtet e stërvitjes janë thuajse njësoj, pasi shumica e ekipeve stërviten në fushë me bar sintetik. Kosova është në hapat e parë dhe ka filluar me investimet në stadiume.

Skuadrat në Superiore janë më solide, sepse kanë lojtarë me eksperiencë që kanë luajtur edhe në Europë, ashtu siç mund të themi edhe për trajnerët. Kam respekt për trajnerët e Kosovës, sepse kanë punuar në kushte shumë të vështira.

Ka pasur ndonjë situatë ku jeni ndierë keq?

Jo, asnjëherë. Jam ndierë i respektuar kudo që kam shkuar. Edhe me lojtarët nuk kam pasur asnjëherë probleme.

Nëse Drita e Gjilanit do të luante në Kategorinë Superiore deri ku mund të shkonte?

Me grupin që bëmë tani në janar, nëse do të luanim në Superiore, me siguri që do të luftonim për Europë.

U përfol se klubi i Dritës pati bisedime me Jahmir Hykën?

Presidenti i Dritës e ka mik Hykën dhe ka pasur kontakte, por unë nuk e besoja kurrë se ai do të vinte, pasi është në kulmin e karrierës dhe siç e pamë bëri një kontratë të mirë në Izrael. Ku ta gjeja të kisha Hykën në ekip, por nuk ishte momenti, sepse kostoja është shumë e madhe dhe nuk mund të rriskohej në mes të kampionatit. Ne u dogjëm për një ndeshje në Kupë, kështu që nuk ia vlente të sakrifikohej.

Të flasim për Partizanin. Nuk ka qenë ndonjëherë më mirë se në këto pozita në këto dy dekadat e fundit në muajin shkurt…?

Në pesë vitet e fundit, Partizani ka pasur edhe skuadër më të mirë se kjo aktuale, por nuk ka qenë në këto nivele sa i përket pozicionit të renditjes. Sigurisht, ka disa arsye.

Varet nga rivaliteti dhe në çfarë situate janë ekipet e tjera. Meritat për këtë ecuri janë të stafit teknik me në krye trajnerin, të cilët i kanë marrë maksimumin kësaj skuadre.

Unë e kam ndjekur rregullisht kampionatin dhe mund të them se Partizani e meriton plotësisht vendin që ka. Por, për të qenë realistë rivaliteti këtë kampionat është zbehur. Nuk kemi një Skënderbe, i cili deri një sezon më parë ishte një superfuqi.

Kemi një Kukës që ka një organikë të jashtëzakonshme me lojtarë dhe mund të ishte pretendenti kryesor, por nuk luan në fushën e tij. Kjo është shumë e rëndësishme. Nuk është njësoj të luash në Kukës dhe në Kamzë. Këto elemente bënë që Partizani t’i shfrytëzojë në maksimum, duke bërë mirë punën e vet.

Si e shikoni vazhdimësinë në kampionat?

Unë mendoj se kampionati ndahet që këtë javë. Nëse Kukësi nuk fiton në Durrës, jam i bindur se Partizani e ka të sigurt titullin. Është e njëjta situatë siç kisha unë me Dritën. Pra, Kukësi nga ky moment duhet të fitojë 100 % të ndeshjeve, ndërsa Partizanit i lejohen hapa falsë gjatë rrugës. Kukësit nuk i lejohet as barazimi.

Cili është çelësi i suksesit të këtij Partizani?

Është injorancë që në këtë moment të mohosh punën e trajnerit Gega. Merita është e tij së pari, por edhe organizimi i klubit me drejtuesit. Avantazhi i madh këtë sezon është se Partizanit nuk ia bëjnë më me hile, siç ka ndodhur në të kaluarën, kur arbitrat e sulmonin. Suksesi i këtij Partizani është se ka një grup kompakt dhe me lojtarë që 90 % kanë qenë pjesë edhe në sezonin e kaluar. Avantazh tjetër i Partizanit është se ka tifozët dhe më tepër entuziazëm se të tjerët. Stadiumet ku luajnë Kukësi dhe Skënderbeu janë të boshatisur. Në të gjitha aspektet ky Partizan funksionon mirë, nga trajneri te drejtori dhe deri te presidenti Demi. Morali është i lartë dhe me tifozët në krah, gjithçka do të bëhet edhe më e lehtë.

Ka diçka që të kuqtë duhet t’i tremben në këtë moment?

Aspak. Është e vështirë që Partizani të bëjë shumë gabime radhazi dhe njëkohësisht Kukësi të fitojë çdo ndeshje që i del përpara.

Kush ju ka befasuar për mirë nga lojtarët këtë sezon?

Partizani e ka boshtin. Ka një portier si Hoxha, ka Trashin dhe treshen fantastike Mala-Bardhi-Asani. Tashmë grupit i është shtuar edhe një lojtar si Telushi, që është përshtatur mirë në atë pozicion. Është një ekip solid dhe duke parë oshilacionet e skuadrave të tjera, mendoj se nuk do ta diskutojë titullin. Bardhi u dëmtua në këto dy vite, ndërsa tashmë që luan stabël, është protagonist. Asani ka qenë lider te Vardari që 18 vjeç, nuk mund të themi se shkëlqeu te Partizani. Lojtarët e rinj çajnë vetë, e njëjta gjë edhe me Malën.

Bie dakord me thëniet e Starovës që titulli i dy sezoneve më parë iu vodh Partizanit?

Shiko, çdo njeri ka mendimin e vet. Ai Partizan ishte shumë më i fortë. Kishte një Ekuban në sulm dhe konkurronte denjësisht një Skënderbe dhe Kukës të fortë. Nuk mund ta mohoj që Partizanin në atë sezon e kanë dënuar arbitrat. Por, mund të them se ka pasur edhe ndeshje si barazimi me Laçin nga fundi, ku u gabua. Në ndryshim nga dy vite më parë, tashmë skuadra është më e qetë. Ankesa kam pasur edhe unë kur drejtoja Partizanin, por atë që më kanë bërë gjyqtarët kur drejtoja Flamurtarin, nuk do ta harroj gjithë jetën.

Flamurtari duket një “deja vu”, si e shpjegoni?

Eliminimi nga Kupa e rëndoi shumë. Sinan Idrizi është një personazh fantastik, sepse edhe kur nuk të jep para, prapë nuk e ke inat. Ai ka investuar shumë te Flamurtari. Kur mora drejtimin e ekipit në sezonin që luftonim për mbijetesë, edhe sot e kësaj dite them si kemi shpëtuar. Kemi qenë 9 pikë mbrapa Tiranës në shkurt dhe më pas ia dolëm. Këto gjëra i harrojnë njerëzit, por në atë sezon punuam pa marrë asnjë kacidhe. Futbolli do vazhdimësi, edhe pse unë i kuptoj problemet e Idrizit.

Një koment për gjendjen e Skënderbeut?

Skënderbeu e nisi mirë kampionatin, me gjithë ndryshimet e mëdha që bëri. Fitoi madje edhe në Vlorë në fazën e dytë. Goditja që Skënderbeu mori me disa humbje radhazi, tregoi se nuk kishte aq lojtarë me eksperiencë për të dalë nga kjo situatë. Pastaj, i ka munguar edhe Bregu, i cili për mua është gjysma e ekipit. Kriza vazhdoi gjatë dhe ky ishte fati i keq i Shehit. Ndikon shumë edhe situata me dënimin.