Durrësi, destinacioni i preferuar i kosovarëve për pushime

Afërsia me Kosovën, rëra, peizazhet e bukura e mbi të gjitha mikpritja e durrsakëve, ka bërë që qyteti antik i Durrësit, të mbetet një nga destinacionet e preferuara për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Edhe këtë vit, pavarësisht pandemisë COVID-19, në plazhin e Durrësit nuk mungojnë turistët, të cilët veç diellit fantastik, po gjejnë edhe rehati e siguri në hotelet më prestigjioze të këtij bregdeti.

Çmime të volitshme, pastërti, komoditet e argëtim pa fund, kishte në dy nga hotelet ku Indeksonline bashkë me mediet kosovare, ka qëndruar gjatë vikendit që lamë pas, për të parë mundësitë për turizëm dhe çfarë po ofron kjo pjesë e Shqipërisë këtë verë.
Derisa pronarët e këtyre restorteve treguan se më e rëndësishmja këtë vit është respektimi i masave të vendosura nga institucionet shëndetësore në luftën dhe parandalimin e përhapjes së virusit korona.

Hoteli Bonita, me një traditë tashmë shumë vjeçare, ishte i stërmbushur nga klientët që i qëndrojnë besnik, derisa numri më i madh i tyre, mbeten kosovarët.
Pronari, Astrit Ismajli tregon se edhe këtë verë janë në shërbim të turistëve, pavarësisht vështirësive që ka pasur ky sektor për shkak të pandemisë.
“Sezoni turistik këtë vit ishte, por me gjithë pandeminë, ishte në kolaps. Por, në bashkëpunim me kompanitë turistike me “Sharr Travel” dhe kompanitë e tjera e mediat, është bërë një punë shumë e madhe për sensibilizimin e të gjithë turistëve se në Shqipëri mund të bëhet turizëm, janë marrë masat e nevojshme për rregullat anti-Covid, për pastërtinë, maskat dhe falë këtij bashkëpunimi ka fillu të vijnë turistë nga Kosova. Dhe siç shihet në ambiente, ka edhe një ngritje të turistëve çdo ditë”, tha ai.
Pikërisht për shkak të pandemisë, ai tha se këtë vit kanë bërë një ofertë 50 për qind më të lirë.
Jo shumë larg “Bonitës”, është i vendosur një nga resortet më luksoze dhe më të preferuarat aktualisht. Një hotel me një arkitekturë moderne, i vendosur buzë detit, me pishinë përreth e ushqim të freskët, është Kompleksi Fafa.

Aty takuam edhe të pronarin Faton Cernishti, i cili gjithashtu tregoi rreth sezonit turistik për këtë vit dhe bashkëpunimin që kanë me kompanitë turistike në Kosovë.
“Bashkëpunimi që kemi pas me agjencitë turistike në Kosovë, kemi arrit që të kemi deri në 80 për qind të kapaciteteve tona. D.m.th sot ato janë të mbushura me turistë. Sigurisht një punë shumë të jashtëzakonshme ka bërë edhe kompania “Sharr Travel”, zoti Ruzhdi Kurtishaj, që ka qenë nga pionierët e parë që e ka nisur sjelljen e turistëve të parë nga Kosova.

Dhe aktualisht kemi mbërrit në këto shifra të kënaqshme, pasi dihet që viti 2020 do të jetë vit i vështirë, ashtu si edhe Organizata Botërore e Turizmit, thotë që 2019-ta do të arrihet në vitin 2023. Turizmi është një nga industritë që do ta rimarri vetën në mënyrë graduale dhe jo të menjëhershme”, tha ai.
Ndërsa, Ruzhdi Kurtishaj nga kompania “Sharr Travel”, që është njëkohësisht Kryetar i Kuvendit në Odën Ekonomike të Kosovës tha se ashtu si gjithnjë ka linja të rregullta për në Durrës dhe që klientët duhet të ndihen të sigurt në raport me pandeminë.

Ai shtoi se ndjehet krenar që bashkë me mediet po promovojnë rivierën shqiptare, me qëllimin e vetëm të promovohet iniciativa që është nxjerrë nga Ministria e Turizmit e Shqipërisë dhe nga të gjitha bashkitë dhe hotelet, dhe nga ne agjencitë e Kosovës që të përkrahim sloganin `Pusho shqip`.
“Kjo është diçka e bukur për të gjithë ne se, përpjekjet janë të mëdha me të vetmin qëllim që qytetarët e Kosovës, e Prishtinës dhe qyteteve tjera të kenë mundësi dhe të vijnë në këto vende ku shihen investime marramendëse dhe shihen shërbime shumë cilësore ku edhe për shkak të pandemisë kemi një higjienë, një pastërti perfekte dhe ku të gjitha masat që ka nxjerrë OBSH-ja dhe Ministria e Shëndetësisë zbatohen qoftë në shërbime, gjatë shërbimeve të kamarierëve, qoftë në distancën sociale sepse shërbimet po ofrohen në ambiente të hapura.” tha Kurtishaj.

Këtë vit në Durrës ka rënë nurmri i vizitorëve por Kurtishaj shpreson që ky numër të rritet sepse sipas tij sepse destinacioni i vetëm për qytetarët e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet Shqipëria, edhe për shkak të çmimeve të favorshme.

“Numri i pushuesve për këtë vit është më i vogël por kjo nuk do të thot që nuk janë shërbimet e mira, sepse ishim dëshmitar për pastërtinë, higjienën dhe distancën sociale andaj shpresoj që ky numër do të rritet sepse destinacioni i vetëm për qytetarët e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet Shqipëria, edhe për shkak të çmimeve të favorshme”, tha ai.
Kurtishaj poshtu tha se ka ulje të çmimeve nëse ato krahasohen me vitin e kaluar, prandaj edhe u bën thirrje gjithë kosovarëve jo vetëm që të pushojnë e ushqehen shqip, por edhe të krijojnë momente të paharruara në shtetin amë./Indeksonline
