18:05 / E Enjte, 23 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Dushi: Rinumërimi do ta nxjerrë Abrashin të parin

Florian Dushi, anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se presin që pas rinumërimit të votave në Prishtinë, Arban Abrashi, të dalë fitues në garën për kryetar të Prishtinës.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se LDK-ja nuk e pranon rezultatin në Istog pas numërimit të votave me kusht dhe me postë, për shkak se beson që ato janë të manipuluara.

“Ne mirëpresim vendimin e PZAP-it dhe jemi të kënaqur që ankesat tona janë pranuar si të bazuara. Është mirë që është urdhëruar KQZ-ja që të rinumërohen fletëvotimet e rregullta dhe të vlerësohen ato të pavlefshme”.

“Kërkesa jonë është bërë sepse ka pasur një numër shumë të madh të fletëvotimeve të pavlefshme, gjë e cuditshme kjo, marrë parasysh se votimi në balotazh është i thjeshtë. Ndaj presim që pas rinumërimit kandidati ynë Arban Abrashi të dalë i pari”.

“Rezultati në Istog konsiderohet të jetë përmbysur, por ne nuk mendojmë kështu. Pas analizimit të krejt procesit të votimit, ne kemi ardhur në përfundim se një numër i madh i votave me postë janë manipuluar. Për këtë gjë ne kemi siguruar edhe dëshmi”.

“Në analizat që kemi bërë ne kemi ardhur në përfundim se kemi tre mënyra përmes të cilave është manipuluar vota përmes postës: rastet kur qytetarëve banorë të përhershëm të Istogut ua kanë vjedhur identitetin dhe kanë votuar në emër të tyre, votimi në emër të njerëzve të vdekur, votimi në emër të njerëzve tjerë, pa aplikuar fare”.