75 Mall Live Search
21:25 / E Martë, 16 Mars 2021 / Blerim

DW: Mosmarrëveshje të shumta në Luginën e Preshevës

Shqiptarët e Liginës së Preshevës në jug të Serbisë kanë bojkotuar regjistrimet e fundit. Besohet se do t’i bojkotojnë edhe tani, për shkak të mosmarrëveshjeve të shumta.

Nëse përpiqemi të analizojmë pjesëmarrjen e shqiptarëve në Serbi në jetën publike dhe politike, hasim në probleme që në fillim. Së pari, është e pamundur të përcaktohet se sa shqiptarë ka në Serbi – pa Kosovën.

Numri më i madh i shqiptarëve në Serbi është përqendruar kryesisht në tri komuna në Serbinë jugore – Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë – por regjistrimi i fundit në vitin 2011 atje u bojkotua. Për shkak të bojkotimit të shumicës së shqiptarëve, të dhënat zyrtare thonë se ka vetëm 5,809 shqiptarë në Serbi. Ndërsa në disa vlerësime të bëra nga autoritetet shtetërore serbe thuhet se numri i shqiptarëve në Serbi, në kohën e regjistrimit të vitit 2011, ishte rreth 74,000.

Rreth 95 për qind e banorëve të Preshevës janë shqiptarë, ndërsa Bujanoci është një mjedis i vërtetë multietnik. Të dhënat e fundit përkatëse vijnë nga regjistrimi i vitit 2002, e në atë kohë kishte rreth 30,000 shqiptarë në këtë komunë. Jashtë komunave të Bujanocit dhe Preshevës, ka vetëm 11 për qind shqiptarë në territorin e Serbisë – 5 për qind e tyre jetojnë në komunën e Medvegjës. Duke filluar me zgjedhjet lokale të vitit 2002, shumica në Bujanoc u fitua nga partitë shqiptare, të cilat më vonë formuan një qeveri që përfshinte përfaqësues serbë.

Marrëdhënie e ndërlikuar

Në një farë mënyre, ky është një tregues i mjaftueshëm i marrëdhënies së ndërlikuar midis shtetit të Serbisë dhe komunitetit shqiptar.

Siç theksuan përfaqësuesit e shqiptarëve me rastin e regjistrimit të popullsisë 2011, regjistrimi u bojkotua kryesisht sepse formularët e regjistrimit ishin shtypur në cirilikë në gjuhën serbe, e si një arsye shtesë ata theksuan probleme të shumta të pazgjidhura lidhur me statusin e tyre si dhe mos realizimin e detyrimeve të shtetit serb ndaj tyre.

Disa politikanë shqiptarë pohuan se dy regjistrimet e mëparshme ishin manipuluar dhe se numri i shqiptarëve po ulet vazhdimisht. Nga ana tjetër, kryetari i atëhershëm i Këshillit Koordinues për Serbinë Jugore, Milan Markoviq, e vlerësoi bojkotin si “një veprim të pajustifikuar dhe radikal, diktuar nga Prishtina”.

Formularë regjistrimit në gjuhën shqipe

Shikuar nga gjendja aktuale, e njëjta gjë do të ndodhë edhe në regjistrimin e ardhshëm, sepse shqiptarët nga Lugina e Preshevës nuk kanë marrë ende ndonjë vendim për të marrë pjesë në regjistrimin e ardhshëm të vitit 2021. Përfaqësuesit politikë shqiptarë nga këto tre komuna edhe një herë tërheqin vëmendjen për rëndësinë e formularëve të regjistrimit në gjuhën shqipe. Ata kërkojnë që regjistruesit të jenë shqiptarë, sepse ata e njohin më mirë terrenin dhe njerëzit.

E kur problemet shfaqen që në nivelin e statistikave, atëherë është e qartë se parametrat e tjerë të pozitës së shqiptarëve në Serbi janë edhe më të komplikuar. Koha po kalon e akuzat e ndërsjella po vazhdojnë dhe po e përkeqësojnë edhe më tej situatën edhe ashtu të vështirë. Problemet më të mëdha janë ekonomia, arsimi dhe kultura.

Nga njëra anë, shteti i Serbisë tregon se shqiptarët nga jugu i Serbisë nuk e respektojnë shtetin në të cilin jetojnë dhe se ata po mendojnë vetëm për t’u bashkuar me Kosovën. Në anën tjetër, përfaqësuesit e shqiptarëve thonë se ata kanë humbur besimin tek shteti i Serbisë dhe institucionet e tij.

Mungesë librash shkollorë

Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, deklaroi për TV H1 se fajtori kryesor për gjendjen është “mungesa e vullnetit për zgjidhje afatgjatë të problemeve themelore të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Krijohet përshtypja se shteti nuk do t’i integrojë ata vërtet në shoqëri”.