11:11 / E Diele, 16 Shtator 2018 / indeksADMonline

Dy autostradat kosovare që do bëhen me pagesë, ky pritet të jetë çmimi!

Taksa e Republikës së Shqipërisë e vendosur për qytetarët e asaj të Kosovës, të cilët shfrytëzojnë “Rrugën e Kombit” është një ndër kundërshtimet më të mëdha në Kosovë. Madje, ajo po cilësohet si e pa përballueshme.

Ndërsa, sa i përket autostradave në Kosovë  ka mbetur edhe pak kohë që kur do të bëhen me pagesë. Bëhet fjalë për autostradat “Ibrahim Rugova” dhe “Arbën Xhaferi”.

Indeksonline ka kontaktuar zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës për të mësuar se sa do të jetë çmimi i taksës për këto dy autostrada.

Në një prononcim për Indeksonline,  Argjend Zejnaj, shef i kabinetit të Ministrit, Pal Lekaj ka thënë se vendimi për taksë në këto dy autostrada nuk është marr ende. Sipas tij, do të jetë një vendim i konsultuar mirë me të gjithë ekspertët si dhe përfaqësuesit e bizneseve dhe qytetarëve.

Megjithatë, ai beson se çmimi do të jetë i konsiderueshëm, që sipas tij, nuk pritet të kalojë më shumë se 5 euro, pra vajtje- ardhje.

“Gjithmonë kemi me u bazu në gjendjen ekonomike edhe të qytetarëve të zakonshëm por edhe të bizneseve për taksat rrugore nuk është vendosur ende, por njëherë është në plan për dy autostradat siç janë “Arbën Xhaferi dhe “Ibrahim Rugova”, për çmim nuk është vendosur ende por se besoj se nuk do të jetë i lartë, besojë se kurdo që të vendoset do të ndodhë për dy autostradat që njëra siç dihet veç përfundon këtë vit”, ka thënë Zejnaj për Indeksonline.

Më tutje, zyrtari i MI-së ka theksuar se qytetarët nuk do të obligohen patjetër ta shfrytëzojnë autostradës. Pasi sipas tij, për autostradat “R7, Ibrahim Rugova” dhe “R6, Arbën Xhaferi” ekzistojnë edhe rrugët alternative përkatësisht nacionale.

“Ne i plotësojmë kushtet për taksat në autostradë, për shkak se ne i kemi edhe rrugët alternative apo nacionale  të cilët qytetarët nuk e kanë të detyruar të vozitin nëpër autostradë. Pra sikur knej për Morinë ashtu edhe për Han të Elezit ata mund të zgjedhin edhe ato rrugë që mos të paguajnë taksën rrugore”, ka përfunduar ai.

Ndërkohë, sipas njoftimit, autostrada “Arbën Xhaferi” përkatësisht rruga për në Shkup pritet që të përfundojë në këtë vit./Indeksonline/