15:08 / E Martë, 06 Qershor 2023 / B O

Dy deputete të Kosovës në Departamentin Amerikan të Shtetit, Statovci thotë se asgjë nuk e cënon lidhjen e Kosovës më SHBA-të

Gjatë ditës së djeshme, u hapën punimet e takimit të pestë të nivelit të lartë të Rrjetit të Pikave Kryesore për Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Uashington DC, SHBA.

Kabineti i Presidentes Osmani, i cili po përfaqësohet nga Zëvendësshefja e Stafit, znj. Learta Hollaj, dhe Këshilltarja, znj. Dora Musa, rikonfirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës drejt avancimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, jo vetëm në rajonin e Ballkanit, por edhe mëtej.
Pjesë e delegacionit të Kosovës në këtë takim janë edhe deputetet, znj. Jeta Statovci dhe znj. Albena Reshitaj.

Po ashtu, në këtë takim është përfaqësuar edhe shoqëria civile përmes znj. Feride Rushiti (KRCT) dhe znj. Valmira Rushiti (Rrjeti i Grave të Kosovës).
Takimi do të vazhdojë përgjatë gjithë javës në kuadër të së cilit do të diskutohet ngushtë mbi zhvillimet e fundit në lidhje me Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të ardhmen e saj, si dhe identifikimin e mundësive për krijim të partneriteteve në drejtim të avancimit të kësaj agjende.
Përndryshe, Kosova, me iniciativë të Presidentes Osmani, këtë vit organizon për herë të dytë forumin ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Avancimi i agjendës në Kosovë po mbështetet fuqishëm nga SHBA-të, respektivisht nga Zyra e Sekretarit të Shtetit për Çështjet Globale të Grave.

Deputetja Statovci nga Amerika ka thënë se asgjë nuk e cënon lidhjen e Kosovës me SHBA-të.

“Me nomim nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S. Dr. Vjosa Osmani Sadriu, po marr pjesë në takimin e pestë të nivelit të lartë të Rrjetit të Pikave Kryesore për Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Uashington DC, SHBA.
Pjesëmarrja, fuqizimi politik dhe ekonomik i grave me qëllim forcimin e një shoqërie të qëndrueshme dhe të aftë për t’i kontribuar sigurisë, paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm, është shumë me rëndësi. Kosova ka përfituar shumë në këtë drejtim nga partneriteti me SHBA-të.
Rruga jonë e fuqizimit të demokracisë, paqes dhe sigurisë mbetet e koordinuar fuqishëm nga ky bashkëpunim i pa cënueshëm.
Kosova mbetet projekt i rëndësishëm i vlerave dhe idealeve të demokracisë perëndimore, dhe ky është vizioni i qartë i shoqërisë tonë e cila aspiron standardin më të lartë të shoqërisë.
Asgjë nuk e cënon lidhjen e Kosovës 🇽🇰 me SHBA-të 🇺🇸, meqë asgjë nuk cënon vizionin tonë shumë të vendosur për demokraci” shkruan Statovci në Facebook.