75 Mall Live Search
14:38 / E Enjte, 07 Shtator 2023 / AR

Dy femra futen në veturën e Policisë së Kosovës, nisin hetimet (video)

Indeksonline dje gjatë ditës ka siguruar një video incizim ku shihen dy vajza duke u futur në një veturë të Policisë së Kosovës.

Rasti ka ndodhur më datë 5 shtator rreth orës 23:30, saktësisht në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj.

Nga Policia e Kosovës për Indeksonline konfirmojnë se, mbrëmë menaxhmenti i Policisë së Stacionit në Ferizaj ka nisur grumbullimin e informatave fillestare për këtë rast.

Siç theksojnë nga PK, brenda veturës së Policisë ndodheshin tre policë që ishin në krye të detyrës zyrtare duke patrulluar.

Tashmë janë marrë edhe deklaratat e tre policëve, dy meshkuj dhe një femër.

“Ju njoftojmë se menaxhmenti i policisë së stacionit në Ferizaj, në lidhje me videon e dërguar nga ana juaj,  mbrëmë ka nisur grumbullimin e informatave fillestare, ka marrë deklaratat e tre policëve (dy meshkuj dhe një femër) që ishin në kryerje të detyrës zyrtare, duke patrulluar me veturë zyrtare me datën 05.09.2023, rreth orës 23:30 në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, ku shihen dy qytetarë (vajza) duke u futur në veturën e policisë”, thuhet në përgjigjen e PK-së për Indeksonline.

Në lidhje me rastin është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës.

“Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), sipas detyrës zyrtare ka iniciuar rastin në fjalë dhe është në fazën e grumbullimit të informacioneve”, konfirmon për Indeksonline zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka.