75 Mall Live Search
12:59 / E Enjte, 14 Gusht 2025 / S Z

Dy javë nga fillimi i ri i vitit shkollor, aplikimi për subvencionet e teksteve shkollore ende s’është hapur, ministria hesht

Me afrimin e 1 shtatorit, e cila shënon fillimin e vitit të ri akademik 2025-2026, shumë prindër dhe familje janë në pritje për hapjen e aplikimit për subvencionet e teksteve shkollore për fëmijët e tyre.

Edhe pse ky është një moment kur zakonisht prindërit fillojnë përgatitjet për blerjen e librave dhe materialeve të nevojshme për fëmijët e tyre, deri tani ende nuk është hapur aplikimi zyrtar nga Ministria e Arsimit.

Telegrafi ka dërguar pyetje zyrtare në Ministrinë e Arsimit duke kërkuar sqarime lidhur me datën për hapjen e aplikimit për subvencionet që ndihmojnë familjet të përballojnë shpenzimet për tekstet shkollore.

Megjithatë, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Telegrafi ende nuk ka marrë një përgjigje zyrtare.

Ndryshe, vitin e kaluar prindërit janë subvencionuar për blerjen e teksteve shkollore ku për nxënësit nga klasa e 1-5 vlera e subvencionimit ishte 80 euro, ndërsa për ata nga klasa 6-9 vlera ishte 110 euro, ndërsa vite më parë është praktikuar opsioni ku librat shpërndaheshin direkt përmes shkollave.