23:06 / E Martë, 13 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Dy kosovarët e vetëm të kërkuar nga Interpol

Deri para pak kohësh, institucioni më i larë policor në botë- Interpol, në faqen zyrtare në internet kishte shpallur në kërkim mbi 60 shtetas të Kosovës për vepra të ndryshme penale, raporton Indeksonline.

Mirëpo aktualisht ky mekanizëm është duke kërkuar vetëm dy kosovarë ndërsa nuk dihet pse është bërë largimi i emrave dhe fotove të personave të tjerë.

Dzemal Kapetanovic, është njëri prej të kërkuarve në faqen e Interpol. Ai po kërkohet me fletarrest të Republikës së Çekisë me akuzat për tentim të vrasjes dhe prodhim ilegal të drogës.

Ndërsa i kërkuari tjetër është Florim Hoxha, po ashtu për trafikim të substancave narkotike.

Policia e Kosovës komunikimin me Interpol e bën ende nëpërmjet zyrës për Interpol brenda UNMIK-ut. Anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë pritet të ndodhë në muajin dhjetor ndërsa nëse kjo ndodhë atëherë i ndihmon Kosovës edhe për sa i përket luftës kundër terrorizmit, por edhe shteteve tjera anëtare të Interpol-it it që të kenë komunikim direkt dhe më të shpejtë me institucionet e Kosovës.

Deri më tani institucionet e Kosovës kanë aplikuar disa herë për pranim në Interpol./Indeksonline/