10:47 / E Enjte, 12 Nëntor 2020 / Blerim

Dy ministrat që votuan kundër masave të reja anti-COVID

Qeveria e Republikës së Kosovës ka votuar për masat e reja antiCovid, të cilat do të hyjnë në fuqi nga nesër. Por, jo të gjithë ishin të pajtimit me këto masa, madje kundërshtuan ato.

Bëhet fjalë për dy ministrat nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës: ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla dhe ai i Drejtësisë, Selim Selimi.

Këtë e kanë konfirmuar për IndeksOnlinen vetë ata, të cilët kanë thënë se kanë votuar kundër masave që u prezantuan nga kryeministri, Avdullah Hoti.

Ndryshe, masat do të hyjnë nesër në fuqi dhe dallojnë nga komuna në komunë, në varësi të numrit të të infektuarve.

Ato komuna, të cilat janë në rrezik më të lartë infeksioni, janë në “Zonë të kuqe”, në të cilat nga ora 19:00-05:00 do të ketë edhe orë policore.

Këto kritere dhe kategorizime përmes disa postimeve në FB i ka kundërshtuar edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, pasi që kryeqyteti është në “Zonë të kuqe”./Indeksonline