Dy muaj pas anëtarësimit në NATO, Finlanda dëbon nëntë diplomatë rusë

Finlanda dëbon nëntë diplomatë rusë nga ambasada ruse, nën akuzat se të njëjtit punojnë në misione të inteligjencës.
Vendimi është marrë pasi presidenti i Finlandës është takuar me Komitetin Ministror për Politikë të jashtme dhe Siguri, ndërsa lajmi është bërë i ditur nga zyra e Sauli Niinisto.
“I ngarkuari me punë i Rusisë, u njoftua për dëbimin e nëntë personave që punonin në Ambasadën e Rusisë, të identifikuar si oficerë të inteligjencës”, ka bërë të ditur Zyra e Presidentit finlandez.
Në takimin e presidentit me komitetin janë diskutuar çështjet kryesore të NATO-s, agresioni i Rusisë në Ukrainë si dhe situata e sigurisë në Evropë. Finlanda është bërë pjesë e NATO-s në muajin prill të këtij viti.