75 Mall Live Search
10:28 / E Diele, 07 Dhjetor 2025 / B XH

Dy muaj pas hapjes, çerdhja në Mitrovicë mbyllet për shkak të problemeve me rrymë

Çerdhja “Dritë Dielli” në Shipol të Mitrovicës, e përuruar më 1 tetor 2025, ka dy javësh që ka mbetur pa energji elektrike dhe pa asnjë njoftim nga administrata, derisa prindërit mbeten duke pritur sqarime për hapjen e çerdhes.

Një prind, që kërkoi të mbetet anonim, tregon për KO, se çerdhja ka qenë jofunksionale për më shumë se dy javë për shkak të një shtylle elektrike të prishur.

“Dy javë jemi në pritje dhe nuk kemi asnjë lajmërim për mosvazhdimin e punës. Na kanë dërguar vetëm një foto që tregon se KEDS-i e ka rregulluar shtyllën që ka qenë problemi.

Nëse mundeni të shihni, aty është vendosur një shtyllë betoni.

Problemi, sipas tyre, ka përfunduar, por nuk kemi asnjë lajmërim tjetër, pa asnjë përgjegjësi, vetëm na thanë që nuk punon dhe kaq”-shprehet prindi.

Sipas tij, situata ka kaluar pa asnjë informacion edhe gjatë vikendit, duke e bërë problemin të vazhdueshëm dhe duke shtuar paqartësitë për hapjen e çerdhes dhe pagesat e muajit dhjetor.

Po ashtu, Olti Ahmeti, prind i një fëmije në çerdhen “Dritë Dielli”, ka treguar se djali i tij ka qëndruar një javë në shtëpi për shkak të ndërprerjes së energjisë.

“Po, jam në dijeni vetëm në atë pjesë që djali im qe një javë ka qëndruar në shtëpi, sepse çerdhja ka pasur një problem teknik”- ka thënë Ahmeti.

Ai ka shtuar se aq sa ka mundur të marrë informata nga disa punonjës aty, kanë thënë që problemi është vetëm transferimi i orës nga brenda në shtyllën elektrike jashtë.

Punëtori teknik i kësaj çerdheje tha se objekti është funksional, por aktualisht nuk ka energji elektrike për shkak të defektit në shtyllën e rrymës.

“Po, funksionale është kjo, por nuk ka rrymë. Kjo shtyllë është me defekt, kanë me vendos një orë të rrymës aty.

E kanë sjellë shtyllën e re, janë duke ngjitur një orë të re dhe kjo shtyllë e vjetër ka me u largu. Për këtë nuk punohet brenda”- tha punëtori teknik.

Nga KEDS-i kanë thënë se ndërprerja e furnizimit me energji elektrike në objekt ka ndodhur për shkak të një kyçjeje të parregullt në rrjet.

“Ndërprerja e furnizimit me energji elektrike në atë objekt ka ndodhur si rezultat i një kyçjeje të parregullt në rrjetin elektrik.

Duke qenë se bëhet fjalë për një çerdhe fëmijësh, kemi vepruar me kujdes të shtuar, por njëkohësisht kemi detyrimin ligjor të zbatojmë rregullat dhe procedurat e përcaktuara për sigurinë e rrjetit dhe të konsumatorëve”- thuhet në përgjigjet me shkrim.

Nga KEDS-i kanë shtuar se kanë kërkuar nga komuna të fillojë dhe të ndjekë procedurat zyrtare për lidhjen e re të energjisë, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregulloret përkatëse.

“Vetëm pas kompletimit të këtyre hapave, objekti mund të furnizohet me energji elektrike në mënyrë të rregullt dhe të sigurt.

Ne mbetemi të gatshëm ta asistojmë komunën në çdo hap teknik që kërkohet, me qëllim që çerdhja të rifurnizohet sa më shpejt me energji elektrike, në përputhje me standardet dhe praktikat e aplikueshme“- thuhet nga KEDS.

Ndërsa, ushtrues detyre drejtoresha e çerdhes “Dritë Dielli”, Naxhije Hamiti e pyetur nga KO, për gjendjen në të cilën është kjo çerdhe, ajo tha se duhet t’i drejtohemi drejtorisë së arsimit.

“Ju lutem, për sqarime drejtoheni tek Drejtoria e Arsimit, në Mitrovicë”- tha Hamiti.

KosovaPress a tentuar të marrë sqarime edhe nga Drejtoria e Arsimit në këtë komunë, por deri tani nuk ka marrë asnjë përgjigje mbi këtë çështje.