Dy poezitë domethënëse që Kurti zgjodhi t’i lexoj për 8 mars

Kryeministri i vendit, Albin Kurti mori pjesë sot në dy marshe të organizuara në kryeqytet, për shënimin e 8 marsit, njohur ndryshe si Dita Ndërkombëtare e Gruas.
Kurti ishte i ftuar që të lexonte dy poezi, e ndër to zgjodhi të lexoj poezinë ‘Njeriu pa tokë’ si dhe ‘ Është çudi kur je femër’, transmeton Indeksonline.

Postimi i plotë:
Për 8 Mars mora pjesë në dy marshe në kryeqyet si dhe në organizimin “Himn për Gruan”. I ftuar të lexoj një poezi, i përzgjodha dy, nga Luljeta Lleshanaku dhe Mimoza Ahmeti.
NJERIU PA TOKË
Unë jam njeri pa tokë,
gjithçka që kam
është e shkruar pjerrtas në fytyrë
një “fragile” mbi pakot e transportit midis festave.
Kurse gjyshi im merrte e jepte me pronën e tij
si bisha me grackën
pa përfshirë një të tretë në sfidë.
Ishte duel xhentëlmenësh
Lojë pa hile, pa befasi, me raunde të rregullta armëpushimi midis
e pa plagë të vogla; ajo të merr të gjithin.
Hapat e tij ishin të mëdhenj. Shikimi një bimë mishëngrënëse
një zonë e pastër nga insektet dhe dyshimet.
E kur toka që e para që e la
ai pa tradhtinë e ndodhur ndërkohë pas shpinës së tij:
se si mani hidhte hije mbi oborrin e fqinjit
si e shoqja kishte hequr një çorape mllefi para se të vdiste
dhe djemtë po i plakeshin pa u martuar.
Im gjysh nuk ndërtoi një kullë. Zgjodhi gjuhën horizontale
për të folur me zotin: bleu tokë pafund. Bleu vazhdimësi
dhe gjithsesi blasfemoi
kur i ishte thënë qartë:
“ti nuk ke fuqi për të menduar (të mendosh) të nesërmen!” Unë jam ndryshe; jam njeri pa tokë
dhe asgjë nuk ndodh pas shpinës sime.
unë jam gjithmonë në kohën e duhur –
gazeta e lagur e ditës
që i ngjitet të parit kamion që shkon rrugës.

ËSHTË ÇUDI KUR JE FEMËR
Mua tani më vjen për të qarë.
Më duket sikur shkarkesa yjesh më janë grumbulluar te sytë.
Dot nuk duroj,
ndërsa çengelat e nervave nderas tërhiqen
kundrejt njëri-tjetrit.
Kangur me foshnjën në xhep
duket figura ime së largu
këtu në bregdet.
Më vjen për të qarë.
Jam bërë barrë.
Me siguri molusqet e buta tani
lëvizin kapakët e fortë brenda ujit
dhe kandilet e kuq
kushedi ç‘udhëtim te mahnitshëm
kanë marrë
Është çudi kur je femër…
E keni parë natyrën kur tmerrohet, fryn
e shkatërron!
Kur si përbindësh shkrifëron gërmadhat
e mohimit…
Pastaj, kur pastaj, e lehtë dhe e trandur,
me sytë e mëdhenj plot hije
pret një vazhdim, një lindje fëmije
buzë detit ku i vjen për te qarë, për të qarë,
ngaqë se si është, është me barrë.
Në ato orë të ditës kur molusqet e buta
hapin kapakët e fortë brenda ujit
dhe kandilet e kuq
kushedi ç‘udhëtim të mahnitshëm kanë marrë…



