Dy policë të Prizrenit fjalosen gjatë orarit të punës, IPK-ja rekomandon suspendimin e tyre
Inspektorati Policor ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Prizrenit, pasi dyshohet se janë përfshirë në mosmarrëveshje mes vete.
IPK-ja njoftoi se zyrtarët ishin fjalosur mes vete gjatë orarit të punës, çka ka çuar te marrja e veprimeve nga Inspektorati.
“Hetuesit e IPK-së kanë filluar të ndërmarrin veprime fillestare hetimore lidhur me një incident të ndodhur në Prizren e ku ishin përfshirë dy zyrtarë policorë. Bazuar në veprimet hetimore dyshohet se zyrtarët policorë janë përfshirë në një mosmarrëveshje me njëri tjetrin që dyshohet të ketë ardhur pas një fjalosje gatë orarit të punës. Pas këtyre veprimeve, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin nga detyra të dy zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Prizren”, njoftoi IPK.
IPK ka shtuar se sjelljet e këtilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me standardet e profesionalizmit që kërkohen nga një zyrtar policor.

