Dy raste me të shtëna armësh brenda një dite në rajonin e Ferizajt

Policia Rajonale e Ferizajt ka ndërhyrë në dy raste të ndara të të shtënave me armë, të ndodhura të enjten, më 31 korrik 2025, në Han të Elezit dhe në Shtime.
Në rastin e parë, të shtënat janë raportuar në një restorant në Han të Elezit, gjatë një ahengu dasmor.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka sekuestruar tetë gëzhoja armësh
Pas hetimeve, është identifikuar i dyshuari N.R., 28 vjeç, nga fshati Dobresh i Vitisë, tek i cili janë gjetur një revole dhe një karikator i zbrazët. Me vendim të prokurorit kujdestar, ai është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, në fshatin Muzeqinë të Shtimes, është raportuar për të shtëna nga një veturë në lëvizje me targa të huaja.

Njësitet policore kanë gjetur katër gëzhoja të një arme me gaz, të cilat janë sekuestruar si dëshmi. Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.
Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë Rajonale në Ferizaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin përdorimin e armëve gjatë festimeve, duke kujtuar se çdo e shtënë mund të rrezikojë jetën e njerëzve./Indeksonline/