Dy raste të armëmbajtjes në Ferizaj, policia sekuestron 2 pistoleta
Dy raste të ndara të armëmbajtjes janë raportuar nga policia në Ferizaj gjatë dy ditëve të fundit, ku në të dyja rastet janë sekuestruar armë zjarri dhe të dyshuarit janë proceduar në gjendje të lirë.
Rasti i parë ka ndodhur, më 17 mars rreth orës 23:30, kur një njësi policore gjatë patrullimit ka ndaluar një veturë që drejtohej nga një mashkull kosovar. Gjatë kontrollit, tek i dyshuari është gjetur një pistoletë me gjashtë fishekë, për të cilën ai posedonte leje për shenjëtari. Pas konsultimit me prokurorin, i dyshuari është intervistuar, ndërsa rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, rasti i dytë është regjistruar, më 18 mars rreth orës 21:30. Policia ka kryer kontroll në automjetin e një mashkulli kosovar, ku në një çantë brezi është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë. Sipas policisë, i dyshuari nuk posedonte leje për bartje arme. Edhe në këtë rast, me vendim të prokurorit, i dyshuari është intervistuar dhe procedohet në gjendje të lirë./IndeksOnline/

