75 Mall Live Search
09:15 / E Martë, 28 Nëntor 2023 / S Z

Dy vdekje të dyshimta në Prishtinë, policia nis hetimet

Policia e Kosovës ka hapur hetimet për dy vdekje të ndodhura dje në Prishtinë.

Policia raporton se një person është gjetur i shtrirë në rrugë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe sipas kalimtarëve dyshohet se ai ka rënë nga një objekt. Viktima është dërguar në QKUK ku dhe ka ndërruar jetë.

“Prishtinë / 27.11.2023 – 10:20. Një mashkull kosovar është gjetur i shtrirë në rrugë në gjendje të rëndë shëndetësore nga disa kalimtarë dhe dyshohet se ka rënë nga një objekt. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ku rreth orës 11:00 ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar për obduksion”, thuhet në njoftimi.

Ndërkaq, në rastin e dytë bëhet fjalë për vdekjen e një gruaje, e cila është gjetur pa shenja jete në banesën e saj.

“Prishtinë / 27.11.2023 – 14:50. Raportohet se në banesën e saj pa shenja jetë është gjetur viktima femër kosovare. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet tutje në njoftim.