75 Mall Live Search
08:02 / E Enjte, 14 Gusht 2025 / MSH

Dy viktima nga zjarret në Spanjë, Greqia në situatë kritike

Në zonën e Patras, në vendparkimin e doganës në Greqi flakët kanë shkrumbuar një venparkim, duke djegur 550 makina. Ndërkohë policia në Patra ka arrestuar një 25-vjeçar që dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme.

Beteja me flakët vijon edhe në Akai, Kios, Prevezë, Zakynthos dhe Kefaloni. Thuasje 5 mijë zjarrfikës janë në terren, teksa Athina zyrtare ka kërkuar edhe ndihmën e Mekanizmit Europian për Mbrojtjen Civile, duke kërkuar 4 avionë për shuarjen e flakëve. Në gjithë vendin pothuajse 100 mijë hektarë tokë janë prekur nga zjarret, duke shkaktuar dëm që shkon në miliona euro.

Ndërkohë në Podgoricë dy zjarrfikës mbetën të plagosur të mërkurën në luftë me flakët në fshatrat kodrinore rreth kryeqytetit malazez, Podgoricës.

Zjarret që u përhapën në disa vende në Mal të Zi e kanë detyruar qeverinë të kërkojë ndihmë nga BE dhe në NATO.

Kroacia dërgoi aeroplanët e saj të specializuar dhe Serbia dërgoi helikopterë. Shtëpitë në disa fshatra përreth Podgoricës u dogjën dhe banorët u evakuuan. Gjashtë persona u arrestuan, të akuzuar për fillimin e disa prej zjarreve.

Ndërkohë në Spanjë mbi 8000 qytetarë u detyruan të evakuoheshin nga shtëpitë e tyre për shkak të zjarreve në rajone të ndryshme të vendit.
Flakën kanë lënë pas dy viktima në shtetin europian, pas djegies se një burri të moshuar viktima e dytë ishte një vullnetar që po ndihmonte në shuarjen e flakëve.

Janë 5 vatra zjarri të cilat janë jashtë kontrollit sipas asaj që thonë autoritetet spanjolle. Situata më e vështirë paraqitet në Leon dhe Zamora. Që nga janari i këtij viti deri më 3 gusht flakët kanë shkrumbuar rreth 40 mijë hektarë bimësi në Spanjë, një sipërfaqe 9% më e madhe e djegur krahasuar me të njëjtën periudhë në një viti më parë.

Edhe në Portugalinë fqinje, më shumë se 700 zjarrfikës janë në betejë me flakët në Komunën e Trancoso, rreth 350 kilometra në verilindje të Lisbonës.

Zjarri, i nxitur nga temperaturat e larta dhe erërat e forta, kërcënoi banorët e fshatrave përreth, ndërsa Portugalia përpiqet të mbajë një kontroll një sezon zjarresh që është përkeqësuar.

Vatra sporadike zjarri janë regjistruar edhe në Francë dhe në Itali, që fatmirësisht janë vënë nën kontroll. Në Itali, 16 qytete të mëdha të vendit janë vënë nën alarmin e kuq të të nxehtit ndërkohë në jugperëndim të Francës në 40 stacione meteorologjike u shënuan temperatura mbi 40 gradë celsius. Zjarret në Europë kanë djegur këtë vit më shumë se 400 mijë hektarë sipërfaqe toke, një sipërfaqe kjo 87% më e lartë se mesatarja e dy dekadave të fundit. Shkencëtarët parashikojnë se temperaturat ekstreme do të vrasin nga 8 mijë deri në 80 mijë qytetarë deri në fund të këtij shekulli.