Dy vjet nga fillimi i luftës në Ukrainë
Sot janë bërë dy vjet nga fillimi i luftës në Ukrainë. Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si “operacion special”. Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
Një ditë para përvjetorit të dytë të luftës, Bashkimi Evropian ka prezantuar paketën e 13’të të sanksioneve kundër Rusisë.
“Sot, ne po ashpërsojmë edhe më shumë masat kufizuese kundër ushtrisë së Rusisë dhe sektorit të mbrojtjes”, tha shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, përmes një deklarate për media.
“Ne vazhdojmë të jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë për të goditur makinerinë e luftës së Rusisë dhe për të ndihmuar Ukrainën që të fitojë luftën e saj legjitime për vetëmbrojtje”.
Paketa e 13-të e sanksioneve e bllokut evropian, që lidhet me pushtimin rus të Ukrainës, shënjestron industrinë e mbrojtjes së Rusisë. Sanksionet po ashtu përfshijnë ngrirje të aseteve dhe kufizime të lëvizjes për 106 individë dhe 88 organizata, duke bërë që numri i përgjithshëm i njerëzve dhe grupeve të sanksionuara nga blloku të arrijë në 2.000. Blloku tha se ka vendosur sanksione ndaj individëve dhe organizatave për shkak të “minimit apo kërcënimit të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës”.
Në listën e të sanksionuarve janë përfshirë dhjetëra zyrtarë rusë, përfshirë “anëtarë të gjyqësorit, politikanë lokalë dhe persona përgjegjës për dëbimin e paligjshëm dhe riedukimin ushtarak të fëmijëve ukrainas”, u tha në njoftim.
BE-ja po ashtu ka vendosur kufizime ndaj kompanive nga Serbia, India, Shri Lanka, Kina, Kazakistani, Tajvanda dhe Turqia, nën dyshimet se kanë eksportuar produkte në Rusi, që kanë përdorim të dyfishtë, dhe për “mbështetjen e ushtrisë ruse”.
Kufizimet po ashtu janë zgjeruar edhe ndaj komponentëve që përdoren për zhvillimin dhe prodhimin e dronëve.
Emrat e kompanive do të publikohen në gazetën zyrtare të BE-së brenda disa ditësh.
Në përgjigje të lëvizjes së BE-së, Ministria e Jashtme e Rusisë njoftoi më 23 shkurt se do të zgjeronte në mënyrë drastike listën e politikanëve dhe zyrtarëve të bllokut të cilëve u ndalohet hyrja në Rusi.
“BE-ja po vazhdon përpjekjet e saj të kota për t’i bërë presion Rusisë përmes masave kufizuese të njëanshme”, tha Ministria e Jashtme e Rusisë përmes një deklarate.
Edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, njoftoi të premten se Uashingtoni do t’i vendos më shumë se 500 sanksione të reja kundër Rusisë.
Biden tha se do të vendosen sanksione të reja në lidhje me kufizimet në eksport ndaj gati 100 subjekteve të cilat e kanë ndihmuar Rusinë, si dhe do të ndërmarrë veprime shtesë për t’ia zvogëluar Rusisë të hyrat nga energjia.
Këto masa kanë për qëllim ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për luftën në Ukrainë dhe për vdekjen e liderit opozitar rus, Alexei Navalny.
“Këto sanksione do të shënjestrojnë individë të lidhur me burgosjen e Navalnyt, por edhe sektorin financiar të Rusisë, atë të mbrojtjes, rrjetet e prokurimit dhe shmangësit e sanksioneve në vende të tjera”, tha Biden.
“Ato [sanksionet] do të sigurohen që Putini do ta paguajë një çmim edhe më të lartë për agresionin e tij jashtë vendit dhe për shtypjen brenda vendit”, tha Biden.
Presidenti amerikan njoftoi se sanksionet po ashtu synojnë të godasin të ardhurat e Rusisë nga energjia.
“Kam udhëzuar ekipin tim të forcojë mbështetjen për sektorin civil, për mediat e pavarura dhe për ata që luftojnë për demokraci në mbarë botën”, tha presidenti amerikan.
Këto sanksione janë më të fundit nga mijëra sanksione që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre i vendosën kundër Rusisë prej se ajo e nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Sipas Bidenit, Putin ka bërë “llogari të gabuara” me nisjen e pushtimit të Ukrainës.
Si pasojë e agresionit rus janë vrarë dhjetëra mijëra njerëz dhe janë shkatërruar shumë qytete.
Dy vjet pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, lufta është në pozicion pat. Asnjëra palë nuk ka mjaftueshëm ushtarë, armë apo municione për të kaluar në epërsi, ndërsa negociatat duken ende larg.