Dy vjet pas vdekjes së argjentinases në Kosovë, doktoresha e rastit kërkon të dëshmojë
Dy vjet pas ngjarjes tragjike, doktoresha Blerina Gashi, e cila kishte ofruar ndihmën e parë mjekësore në autoambulancë për shtetasen argjentinase, Maria Klara ka kërkuar të dëshmojë në procesin gjyqësor.
Kërkesa e saj është paraqitur përmes mbrojtjes së të akuzuarit.
Doktoresha Gashi ka deklaruar se ka pritur të ftohet nga organet e drejtësisë për të dhënë dëshminë e saj, por se kjo nuk ka ndodhur.
“Kam pritur që dikush të më ftojë për të dëshmuar, por askush nuk më ka ftuar”, ka deklaruar ajo përmes mbrojtjes së të akuzuarit Endrit Nika.
Nga ana tjetër, prokurori i rastit, Armend Hamiti, ka sqaruar se dokumentacioni i përgatitur nga doktoresha Blerina Gashi është shqyrtuar dhe vlerësuar gjatë fazës së hetimeve.
Ai ka theksuar se raporti përmban të dhëna për trajtimin e të dëmtuarës deri në dërgimin e saj në emergjencë dhe se ky dokumentacion është analizuar edhe nga mjeku ligjor, dr. Arsim Gerxhaliu, i cili ishte i pranishëm në seancë.
Sipas prokurorit Hamiti, nga praktika mjekësore, mjeku që ofron ndihmën e parë është i obliguar të dokumentojë të gjitha vërejtjet bazuar në ekzaminimin e bërë dhe se kjo pjesë e procedurës është përmbyllur gjatë hetimeve.
Ai ka shprehur habi pse, nëse doktoresha kishte vërejtur diçka shtesë relevante, nuk ishte paraqitur më herët në polici apo prokurori, duke theksuar se kishte pasur kohë të mjaftueshme për ta bërë këtë.
Megjithatë, prokurori Hamiti u shpreh i pajtuar që doktoresha Blerina Gashi të ftohet për të dëshmuar në cilësinë e dëshmitares.
Ndërkohë, avokati mbrojtës i të akuzuarit, Betim Shala, e kundërshtoi dëgjimin e saj, duke argumentuar se doktoresha nuk kishte aplikuar testin e Baltazarit, përmes të cilit vlerësohet niveli i gjendjes mendore të pacientit për të komunikuar në mënyrë të artikuluar.
“Me dëgjimin e kësaj dëshmitareje shkelet fshehtësia ndërmjet mjekut dhe pacientit”, ka deklaruar avokati Shala.
Pas këshillimit, trupi gjykues bëri të ditur se parashtresa, e cila ishte paraqitur që nga muaji tetor dhe tashti është formalizuar, është aprovuar. Si rrjedhojë, u miratua kërkesa e mbrojtjes që doktoresha Blerina Gashi të ftohet për të dëshmuar në cilësinë e dëshmitares, duke qenë se ajo kishte qenë e pranishme në vendin e ngjarjes në ditën kritike.

