Dybala, intervista e parë si lojtar i Romës: Më telefonoi vetë Mourinho, ja pse nuk e mora 10 e Tottit…

Inter, Napoli dhe shumë klube të huaja e kërkuan atë, por në fund Paulo Dybala zgjodhi Romën e José Mourinhos. Sulmuesi argjentinas është zyrtarizuar dje dhe ka dhënë intervistën e parë të gjatë për aventurën e tij të re verdhekuqe.
Ndjesitë e para?
Ndihem shumë i lumtur që jam këtu, shumë i lumtur që mund të filloj stërvitjen pas një pritjeje të gjatë. Doja të njihja bashkëlojtarët e mi, trajnerin dhe ata që punojnë për Romën. Jam i lumtur këtu.
Si i keni jetuar këto orë?
Ndodhi gjithçka shumë shpejt, doja të filloja diku dhe vendosëm shpejt. Më pas nënshkruam së bashku për të filluar këtë aventurë.
Çfarë ju bindi më shumë për të thënë po?
Shumë aspekte, telefonata e trajnerit, drejtorit, pastaj munda të flisja me presidentin. Këto ishin pikat më të rëndësishme. Ata më dhanë siguri, trajneri ishte gjithashtu i qartë me idetë e tij. Pastaj të luajturit për këtë ekip, çfarë Roma përfaqëson për në Itali dhe në botë.
Të tjerët që dëshironi t’i falënderoni?
Familjen dhe miqtë e mi, të cilët më shtynë të vija këtu. Janë shumë të lumtur. Pastaj ata që punojnë këtu dhe drejtuesit romanë që bënë gjithçka për të më sjellë këtu.
Çfarë do të thotë të punosh me Mourinhon?
Ne të gjithë e njohim atë, çfarë bëri dhe çfarë do të bëjë. Telefonatat e tij më emocionuan, fola shumë me të, patëm një bisedë të mirë. Pata fatin të luaja me më të mëdhenjtë në historinë e futbollit dhe tani mund të them se mund të punoj me një nga trajnerët më të mirë në historinë e futbollit.
Numri i fanellës?
Kisha biseduar me drejtorin Pinto, ai më propozoi 10, që është shumë i rëndësishëm këtu për atë që ka bërë Totti. Sidoqoftë, unë mendoj se ai numër dhe ajo fanellë duhet të jenë ende të tijat për atë që përfaqëson te Roma. Ka nevojë për shumë respekt. Një ditë ndoshta do të jem në gjendje ta vesh atë, por sot jam i lumtur që kam 21, numër i rëndësishëm për mua”.
A jeni gati për pasionin e tifozëve verdhekuq?
Kur luajmë në ‘Olimpico’, për ne amerikano-jugorët është si në Argjentinë. Ndjesitë janë të bukura.
Një premtim për tifozët…
Është e rëndësishme që t’i kemi tifozët afër në kohë të mira dhe të këqija. Dua t’i falënderoj për të gjitha mesazhet, vështirë t’iu përgjigjem të gjithëve sepse janë shumë. Shpresoj t’i shoh së shpejti, t’i njoh në Romë dhe t’iu jap shumë gëzime.