75 Mall Live Search
08:15 / E Mërkurë, 14 Janar 2026 / MSH1

Dyshime për hyrje të dronëve serbë në Kosovë, Gecaj: Nuk duhet neglizhuar

Ndonëse ende nuk ekziston një konfirmim zyrtar nga policia apo KFOR-i në lidhje me dronët nga Serbia që dyshohet të kenë hyrë në territorin e Kosovës, më saktësisht në Novosellë të Kamenicës, ish-ushtaraku, Hysen Gecaj, ka thënë se këto nuk duhet të neglizhohen.

“Jemi në një kohë kur kemi shumë lajme të cilat më tepër duken si spekulime se sa si realitet prandaj është shumë e vështirë në këtë rast del në pah një përfundim se ka ndodhur vërtet një gjë e tillë apo jo, nuk ka një komunikatë zyrtare qoftë prej institucionet shtetërore të Kosovës, ose prej KFOR-it, i cili është kompetent për sigurinë dhe territorin e Kosovës. Kjo që është dëgjuar nëpër media dhe që është folur deri tani faktikisht nuk e ka një bazë të qëndrueshme për ta konfirmuar ose jo praninë e atyre dronëve në territorin e Kosovës.

Diçka e tillë është e mundshme të ndodhë, nuk duhet të përjashtohet dhe nuk duhet të neglizhohen, mirëpo meqenëse edhe në të kaluarën kemi pasur informata apo më drejt t’i quajmë dezinformata të shpeshta, kërcënim të territorit për kërcënime për rreziqe të ndryshme të cilat asnjëherë nuk kanë ndodhur dhe nuk janë verifikuar atëherë ky lajm i fundit nuk është që fiton shumë besim që ka ndodhur vërtet kështu, por përfundimisht besoj që NATO-ja përkatësisht KFOR-i me prezencën e tij do të duhej të japë një përgjigje lidhur me këtë meqenëse është përgjegjësi kryesor për sigurinë dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, deklaroi Gecaj për EO-në.

Gecaj thekson se KFOR-i, si përgjegjës kryesor për sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës, duhet të japë një sqarim publik.

“Ndryshe jemi në një fazë kur shumë faktorë edhe të brendshëm edhe të jashtëm u konvenon shumë që të përhapim dezinformata për qëllime të ndryshme për të tërhequr vëmendje prej shumë ngjarjeve të tjera të cilat janë më e rendësi se kjo por që një lajm i tillë shpesh tërheq vëmendjen në drejtim të kundërt prej asaj që një pushtet ose një klasë e caktuar politike nuk do të donte të shihej. Këto ndërhyrje mund të jenë të tilla edhe me faktorë të jashtëm, pra nga jashtë territori i Kosovës por edhe nga brenda territorit të Kosovës. E them se shteti më saktë përfaqësuesit e shtetit do të duhej të ishin shumë serioz në deklarime të tyre shpeshherë për shkak se kjo më vonë e humb besimin e qytetarit, i cili dikur bin në konfuzion dhe nuk e dinë se a t’i besohet një lajmi i cili del në opinion ose mos t’i besohet. Në këtë rast së paku në këto momente së paku nuk di që ka pasur një qëndrim zyrtarë të institucioneve të Kosovës në lidhje me këtë çështje”, shtoi ai.

Pa një deklaratë zyrtare, veçanërisht nga KFOR-i, çdo pretendim për praninë e dronëve mbetet në fazën e spekulimeve.

“Pa një informatë zyrtare nga institucionet e Kosovës në veçanti KFOR-i gjithçka mbetet në fazën  spekulimeve. Nëse kanë qenë vërtet në territorin e Kosovës është një lëshim nuk është diçka që nuk mundet me ndodh, mund të ndodhë, mirëpo së paku kisha pritur një reagim serioz të institucioneve të sigurisë, edhe nëse ka ndodhur një incident sepse është e mundshme që ata të depërtojnë por së paku pas këtij rasti të ketë një deklarim dhe një qasje serioze e institucioneve sigurisë vendore dhe të KFOR”-it, përfundoi njohësi i sigurisë.