75 Mall Live Search
16:13 / E Premte, 27 Shkurt 2026 / Gj Sh

Dyshime për ndeshjen Llapi – Drita, Prokuroria dhe Policia e Kosovës nisin veprime hetimore

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim me Policia e Kosovës, ka konfirmuar se ka pranuar informata lidhur me dyshimet për kurdisje të ndeshjes Llapi – Drita, e përfunduar me rezultat 0:2, në kuadër të Superligës së Kosovës në Futboll.

Në një përgjigje zyrtare për RTV Dukagjini, Prokuroria ka bërë të ditur se prokurori i shtetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, për të sqaruar rrethanat e këtij rasti.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës kanë pranuar informata lidhur me këtë rast. Prokurori i shtetit, në koordinim me Policinë e Kosovës, do të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Ky zhvillim vjen pas reagimeve të shumta në opinionin publik dhe në qarqet sportive, ku janë ngritur dyshime për parregullsi në ndeshjen ndërmjet Llapi dhe Drita.

Autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë mbi natyrën e informatave apo fazën e hetimeve, duke theksuar se çdo veprim do të zhvillohet në përputhje me ligjin.