Dyshime se rezonanca në Spitalin e Pejës u prish qëllimshëm, prokuroria nis hetimet

Në Spitalin e Pejës që një muaj është prishur rezonanca magnetike. Prishja po dyshohet se ka ndodhur qëllimshëm pasi ka shkaktuar dëm të madh financiar dhe nuk ka pasur kontratë për mirëmbajtje. Për këtë arsye janë iniciuar hetime nga Prokuroria Themelore në Pejë.
Në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës në ditën e festës së Bajramit u prish pajisja e rezonancës magnetike e cila shtetit i kushtoi 558 mijë euro, shkruan gazeta “Shneta”.
Por kjo prishje nuk po duket e rastësishme. Pajisja ka shpërthyer dhe ka rrjedhur helium në ditën kur nuk është punuar fare me të. Dëmi financiar që ka shkaktuar kjo prishje është shumë i madh meqë e njëjta nuk ka pasur as kontratë për mirëmbajtje.
Këto arsye kanë ngritur dyshimet se prishja nuk ka ndodhur rasisht, por qëllimshëm. Kjo ka alarmuar edhe Prokurorinë e Themelore të Pejës e cila ka nisur hetimet. Kjo është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë Shkodran Nikçi.
“Kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj ka përpiluar shënim zyrtar dhe ka iniciuar raste duke i ndarë rastin një prokurorit të shtetit për trajtim të mëtutjeshëm. Këtë fazë nuk mund të japim me shumë informata”, ka deklaruar Nikçi.
Spitali i Pejës e ka blerë rezonancën në vitin 2022. Kontrata me operatorin “Medbrand” është nënshkruar më 22.08.2022. Sipas kontratës që e posedon Gazeta, garancia e pajisjes ka qenë dy vjet.
Ndërkaq spitali tenderin për servisim dhe mirëmbajtjes të pajisjes e ka iniciuar më 25 shkurt të këtij viti. Tenderi është në vlerë 170 mijë euro për servisim për dy vite. Ky tender është ende në proces të ofertimit, që do të thotë se prishja e pajisjes ka ndodhur ende pa përfunduar dhënia e kontratës.
Gazeta ka kontaktuar Spitalin e Pejës për të marr sqarime në lidhje më këto dyshime. Gjihashtu kemi kërkuar përgjigje pse nuk është iniciuar kontratë për mirëmbajtje pas skadimit të garancionit, për të shmangur dëmtimin e buxhetit në rast të prishjes së pajisjes, por të njëjtit nuk kanë kthyer asnjë përgjigje në email adresën e spitalit.
Për blerjen e kësaj pajisje ka pasur probleme qysh në fillim. Spitali i Pejës e kishte zgjedhur ofertën e kompanisë “Medbrand” e cila ishte rreth 58 mijë euro më e shtrenjtë sesa oferta e një operatori tjetër ekonomik.
Për këtë pajisje Spitali kishte zotuar 500 mijë euro, ndërsa 58 mijë euro shtesë ishin siguruar më pas nga Administrata qendrore e SHSKUK-së./Shneta/