Dyshimet për degradim të mjedisit në Prizren/ Arrestohen tre persona
Prokuroria Themelore e Prizrenit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, më 4 qershor pati zhvilluar një aksion të suksesshëm kundër degradimit të mjedisit, si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për mbrojtjen e natyrës dhe pasurive mjedisore.
Ky aksion kishte si qëllim parandalimin e aktiviteteve të paligjshme që dëmtojnë mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve, ku janë arrestuar 19 persona dhe janë sekuestruar 40 mjete të kryerjes së veprës penale, duke përfshirë: dhjetë kamionë, 15 eskavatorë, 15 makineri seperimi, si edhe prova të tjera materiale.
Vlera totale e sekuestrimit ishte rreth 2 milionë euro, transmeton IndeksOnline.
Megjithatë, policia bën me dije se sot ka pasuar një tentativë tjetër për dëmtimin e mjedisit.
Lidhur me këtë rast, tre persona janë arrestuar në flagrancë, në orët e vona të natës, pasi tentuan të eksploatonin zhavorr përreth lumit Drini i Bardhë.
Lidhur me këtë rast është sekuestruar një kamion dhe një eskavator.
Nga Prokuroria Themelore e Prizrenit bëjnë me dije se personat e arrestuar, gjenden në ndalim 48-orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale: “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit”.
“Prokuroria Themelore e Prizrenit, do të vazhdojë të jetë vigjilente dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar aktivitete të paligjshme që mund të shkaktojnë dëm të madh për mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve.
Po ashtu, Prokuroria Themelore e Prizrenit apelon për angazhimin e të gjithëve në mbrojtjen e mjedisit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së resurseve natyrore dhe respektimit të ligjit për një të ardhme më të qëndrueshme”, deklaron prokuroria.

