Dyshimet për mjet shpërthyes në stacionin e autobusëve në Prishtinë, flet dëshmitari

Të gjithë qytetarët në stacionin e autobusëve në Prishtinë janë evakuuar më herët, për shkak të dyshimeve se aty ka mjet shpërthyes.
Nga Policia kanë konfirmuar që kanë marrë një informacion të tillë, teksa të njëjtit kanë evakuuar stacionin dhe janë angazhuar njësitet për trajtimin e informatës.
“Rreth orës 14:00, kemi pranuar një telefonatë anonime, përmes së cilës një person ka deklaruar se ka vendosur mjete shpërthyese në Stacionin e Autobusëve, në Prishtinë. Menjëherë policia ka ndërrmarë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës” ka thënë zëdhënsja e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, Flora Ahmeti.
Në anën tjetër, edhe një dëshmitar, shofer i autobusit, ka përshkruar për Indeksonline se si kanë reaguar pasi kanë marrë informatën.
“Kemi qenë në stacion edhe na thanë për një bombë në një qantë. Kemi dal na meniher. Po hiç nuk e besoj. Keni me pa alarm i rrejshëm ka me dal. Mjeri popull që jeton në panik” ka thënë ai.