Dyshohet për lidhje me inteligjencën serbe, arrestohet Bojan Jevtiç, zyrtar i Policisë së Kosovës

Nën drejtimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, sot është zhvilluar një operacion i ndërlikuar për hetimin e një rasti të dyshuar për spiunazh. Operacioni është realizuar me mbështetjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), dhe ka rezultuar me arrestimin e një zyrtari të lartë policor.
Personi i arrestuar është Bojan Jevtić, zëvendëskomandant i pikës kufitare në Dheu i Bardhë dhe njëkohësisht shef i operativës. Ai dyshohet për rrjedhje të informacioneve të ndjeshme dhe bashkëpunim të mundshëm me shërbimet sekrete të shtetit serb.
Operacioni ndodhi në kuadër të hetimeve për veprën penale të “spiunazhit”, e cila parashihet me Kodin Penal të Kosovës dhe përbën një nga akuzat më serioze ndaj zyrtarëve shtetërorë. Ende nuk janë bërë publike detajet konkrete të hetimeve, por autoritetet kanë paralajmëruar se do të dalin me informata shtesë pas përfundimit të fazës së parë të operacionit.
Rasti pritet të shkaktojë reagime të shumta publike dhe politike, duke pasur parasysh pozicionin e ndjeshëm të të arrestuarit dhe implikimet e mundshme të sigurisë kombëtare.