17:42 / E Martë, 04 Gusht 2020

Dyshohet se 7 vjeçarja vdiq si pasojë e mbi dozës së anestezionit

Një vajzë 7-vjeçare kishte shkuar për të bërë një fotografim të kokës në mëngjesin e sotëm, në ordinancën private “Poliklinika CT Scanner”. E njëjta ka humbur jetën, e për këtë familjarët të T.H po dyshojnë se mbesa e tyre ka ndërruar jetë nga mbi doza e anestezionit. Policia ka konfirmuar këtë rast si vdekje të dyshimtë, duke shtuar se janë duke punuar që të zbardhen rrethanat e vdekjes.

KosovaPress ka kontaktuar me familjarët e viktimës për të mësuar detaje lidhur me rastin. Axha i saj, i cili ka folur në kushte anonimiteti ka treguar se mbesa e tij ka vdekur si shkak i mbi dozës së anestezionit.

“Vajzën e kanë dërguar prindërit e saj sot në një ordinancë private në lagjen Ulpiana për të bërë rezonancë magnetike. Ne dyshojmë se ka vdekur si pasojë e mbi dozës së anestezionit. I kanë dhënë fillimisht por gjatë kohës sa ka qenë duke e bërë rezonancën ajo është zgjuar dhe pastaj i kanë dhënë mbi dozë. Është dërguar në Klinikën Emergjente, dhe për tri orë është provuar që të kthehet në jetë, por pa sukses”, ka treguar ai.

Ndër të tjera, ai ka njoftuar se rasti është lajmëruar edhe në polici dhe se është njoftuar edhe prokurori. Po ashtu për KosovaPress axha i viktimës ka treguar se trupi i të miturës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Vdekja e vajzës është konfirmuar edhe nga zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Policia këtë rast po e konsideron të dyshimtë.

“Sot në stacionin policor jugu në Prishtinë është hapur një rast Vdekje e dyshimtë. Viktimë në këtë rast është një femër (e mitur). Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë përkatëse janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin, ndërkohë që me urdhër të prokurorit trupi i viktimës është dërguar për obduksion”, ka thënë ajo.

Gjatë ditës së sotme dyert e ordinancës private “Poliklinika CT Scanner” kanë qenë të mbyllura.

Ndërkohë që përmes telefonit mjeku i kësaj klinike Arben Kutllovci ka shprehur keqardhje për këtë rast. Ai ka njoftuar se familjarët kishin kërkuar që rezonanca magnetike të bëhet me anestezion.

“Zakonisht doza shkon me kilogramë të peshës trupore, ma merr mendja që i kanë llogarit krejt ata. Mbidoza është problem të bëhet, ndoshta, por nuk besoj… ( 04:45) Sa i përket neve ne jemi krejt të pastër në këtë punë. Më e keqja është se si ndodhi. Këto janë gjëra që garancioni 100 për qind nuk po ka kurrë. Unë këtë paciente e kam pasur edhe përpara, nuk është tash që është bërë për herë të parë… Unë e kam pasur këtë paciente më të vjetër që ka ardhur edhe më parë të unë. Këta kanë ardhur i kanë kryer ekzaminimet, tash kanë kërkuar me anestezion për me u krye ajo. Ka bërë llaf me anesteziologun, unë nuk kam qenë këtu hiç”, ka deklaruar ai për KosovaPress.

Kutllovci ka treguar se është intervistuar në lidhje me këtë rast, e po ashtu edhe anesteziologët.

Mos i humb