75 Mall Live Search
13:04 / E Enjte, 08 Janar 2026 / S Z

Dyshohet se ishte viktimë e një sulmi të gjerë kibernetik, gjendet i vdekur gazetari rus

Është gjetur i pajetë të mërkurën më 7 janar, në Mendon, në periferi të Parisit Evgeni S., 38 vjeç, gazetar rus.

Sipas informacioneve nga mediat franceze, trupi i tij u gjet në rrugë, nën apartamentin ku banonte, ndoshta pas një rënieje nga kati i 7-të i ndërtesës, me një lartësi prej rreth 20 metrash.

Zyra e prokurorit në Nanter ka hapur një hetim për rrethanat e vdekjes së tij.

Gazetari 38-vjeçar, i cili punoi deri në vitin 2024 për faqen informative ruse Otkrytie Media, dyshohet se kishte shfaqur mendime vetëvrasëse ditët e fundit.

Pak para vdekjes, ai i dërgoi familjes një letër lamtumire, ku sipas të dhënave të medias, shpjegonte se ishte viktimë e një sulmi të gjerë kibernetik. Ai pretendonte se të gjitha llogaritë e tij, përfshirë Telegram-in dhe telefonin celular, ishin hakuar.

“Unë jam përgjegjës vetëm për vdekjen time. E kuptoj që kam zhgënjyer shumë njerëz. Nuk kam justifikime, përveç faktit që nuk doja t’i dëmtoja askënd”, shkruante gazetari rus.

Ai përfundonte: “Asnjëherë nuk kam punuar për interesat e Rusisë dhe nuk jam punësuar nga askush.”

Një miku i tij, i cili kishte biseduar me të, të dielën më 4 janar, tri ditë para vdekjes, deklaroi se gjendja e tij mendore ishte përkeqësuar. “Nuk ishte vetja e tij. Dukej sikur po kalonte një krizë paranoje”, tha miku.