75 Mall Live Search
10:22 / E Enjte, 19 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Dyshohet se një rojë pylli është vrarë me armë zjarri, afër Liqenit të Badocit

Mbrëmë një rojë pylli N.RR.  dyshohet se është vrarë me armë zjarri, në afërsi të Badocit, shkruan Indeksonline.

Lajmin e ka konfirmuar Shpend Ahmeti, kryetari i Komunës së Prishtinës.

Ai ka thënë se të mërkurën është gjetur vetura e braktisur e njërit prej inspektorëve më të vjetër të pyllit të Komunës së Prishtinës

“Mbrëmë Drejtoria e Inspeksionit është lajmëruar se është gjetur vetura e braktisur e hapur e njërit prej inspektorëve më të vjetër të pyllit të Komunës së Prishtinës N. RR. në afërsi të Badocit.

Fatkeqësisht, pas arritjes së policisë është gjetur edhe trupi i pajetë i të ndjerit, i vrarë me armë zjarri, në zonën që e ruante si rojë pylli.

Trupi është dërguar në Mjekësinë Ligjore ndërsa policia po zhvillon hetimet rreth rastit.

Familjes i shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe si komunë do t’ju qëndrojmë pranë në këto momente të vështira. Nga policia kërkojmë që sa më parë të zbardhet rasti dhe kryesit e veprës të sillen para drejtësisë.

Ky rast edhe njëherë dëshmon rrezikun me të cilin përballen inspektorët e komunës”, ka thënë ai.

Rasti sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka ndodhur mbrëmë (18.12.2019) në rrugën Graçanicë – Gjilan.

“Mund t’ju konfirmoj se më 18.12.2019, rreth orës 21:50, në një distancë nga rruga Graqanicë- Gjilan, në pyll është gjetur një person vdekja e të cilit eshte konfirmuar nga ekipi i ambulancës”, ka thënë Hoxha./Indeksonline/