75 Mall Live Search
14:56 / E Premte, 09 Maj 2025 / mp

E 13-ta herë që Kuvendi mblidhet sa për procedurë, Dehari ia ndali fjalën Hykmete Bajramit: Mundesh me na thirrë 48 herë për 48 orë!

Dështoi edhe përpjekja e 13-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Edhe vazhdimi i sotëm seanca nisi me tentimin e Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë.

Kryesuesi Avni Dehari kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe që të propozojnë kandiatatë e tyre për komision,  por këto parti nuk pranuan që të propozojnë dhe nuk morën pjesë në votim.

Dehari ia ndali fjalën deputetes së LDK-së Hykmete Bajrami.

”Dola këtu për të thënë se mundesh me na thirrë 48 herë për 48 orë”, tha më parë, Bajrami.

Pas kësaj, me 56 vota për, 1 kundër nuk pati kuorum për formimin e komisionit dhe Dehari bëri të ditur se seanca ndërpritet për të vazhduar pasnesër, më 11 maj, në orën 10.00.

Kurti nuk flet, Gërvalla-VV: Opozita t’i thërras mendjes që të mos bllokojë, të gjithë këta janë filma jo kreativë dhe pa fantazi

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, refuzoi të flasë për media në lidhje me ftesën e paralajmëruar nga presidentja Vjosa Osmani për një takim me liderët politikë, raporton Ekonomia Online.

Por, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, tha se sot u tentua që të keqpërdoret foltorja e Kuvendit për deklarata politike. Ajo i quajti filma dhe propagandë përpjekjen e AAK-së për të mbledhur nënshkrimet për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

“Nuk ka asnjë arsye për ta vazhduar bllokadën. Mundësitë ishin që sot të zhbllokohet. Është koha që opozita t’i thërras mendjes që të mos bllokojë.  Të gjitha këta janë filma, janë filma jo kreativë dhe pa fantazi. Kemi një deklaratë të 21 shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që kanë kërkuar që kësaj t’i jepet fund. Për përpjekjen e AAK-së për të mbledhur nënshkrimet për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese të them se janë bërë bajat. Kjo është një propagandë”, tha Gërvalla.

Krasniqi: PDK-ja do të shqyrtojë propozimin e AAK-së për t’iu drejtuar Kushtetueses

Kryetari i PDK Memli Krasniqi, tha se do ta shqyrtohet propozimi i AAK-së që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e situatës në Kuvend, raporton Ekonomia Online.

“Nuk e kam parë lëndën. Sapo u njoftova. Kemi ekspertizën e duhur për të vlerësuar a duhet të dërgohte diçka në Kushtetuese. Do ta shqyrtojmë. Do ta marrë mendimin e ekspertëve”, tha Krasniqi.

Ai tha se qëndrimi i PDK-së nuk ndryshon.

“Sundimi njëpartiak ka marrë fund. Duhet që të ketë kompromis. Ne do të jemi këtu sa herë që do të kemi obligim dhe do ta kemi qëndrimin e njëjtë. Rrugëdalja është e qartë: duhet që të ndërrohet kandidati për kryetar të Kuvendit”, tha Krasniqi.

Abdixhiku: Askush nuk e ka shumicën, ose të ulemi të flasim, ose të vazhdojmë këtë cirk

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas dështimit të seancës konstituive për të 13-të herë mbrojti idenë e partisë së tij për krijimin e një qeverie tranzicioni, duke e parë si të vetmen zgjidhje gjithëpërfshirëse në rrethanat aktuale.

Ai konfirmoi se LDK-ja do të marr pjesën kur të ftohet takimi gjithëpërfshirës nga presidentja Vjosa Osmani, duke theksuar se ftesa është vazhdimësi e idesë së LDK-së.

“LDK-ja e ka dhënë një iniciativë, jo për protagonizëm. Nëse duan ta bëjnë një organizim të tillë le ta bëjnë, përfshirë edhe presidenten. Thelbësore është për çka po takohemi, për të dhënë zgjidhje apo për ta vazhduar këtë cirk. Partitë qëndrojnë në pozicione që na sjellin çdo 48 orë, por ndonëse dua t’i kuptoj, pozicionet e tyre janë dëshirore. Askush nuk e ka shumicën në Kosovë e meqenëse askush nuk e ka, le të ulemi. Ne kemi bërë një propozim, nëse partitë nuk e duan le të vazhdojnë të mblidhen e të tallen me qytetarët e Kosovës.

Është mirë që askush të mos flasë për votat e LDK-së. Askush në Kosovë nuk e ka shumicën. Kemi dalë me propozim të hapur, ftesë të hapur, të ulemi e të kapërcejmë këtë gjendje. Nëse janë të gatshëm këtu jemi, nëse nuk janë të gatshëm vijmë këtu çdo 48 orë. Natyrisht se po, kemi bërë thirrje për gjithëpërfshirje. Bënë të marrë iniciativë edhe dikush tjetër. Çka po bëjmë pas gjendjes së tanishme. Ideja jonë mund të mos jetë më e mira, por është e vetmja në tavolinë, gjithëpërfshirëse”, tha ai.

Haradinaj: Do t’i drejtohemi Kushtetueses që ta vlerësojë gjendjen në Kuvend

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se do t’i drejtohen Gjykatës  Kushtetuese me kërkesë që ta vlerësojë kushtetutshmërinë e vendimeve të marra në Kuvend, raporton Ekonomia Online. “Nuk e di në cilin format mund të ftojë presidentja. Mund t’i ftojë një nga një, mund t’i ftoj të gjithë bashkë. Ne  kemi mirëpritur edhe idenë e kryetarit të LDK-së Abdixhiku për konsulta për formimin e qeverisë. Një propozim ka qenë për një qeveri të unitetit. Ekziston edhe propozimi ynë për qeverinë e opozitës. Konsultat mes opozitës janë të nevojshme. Konsultat janë të nevojshme që të dalim nga gjendja ku jemi. Ne kemi përgatitur një kërkesë për vlerësim. Do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese me kërkesë që ta vlerësojë kushtetutshmërinë e vendimeve të marra në Kuvend. Sot jemi në konsulta edhe me PDK-në dhe LDK-në, në mënyrë që 10 deputetë t’i drejtohemi gjykatës”, tha Haradinaj.

Limaj: Kosova duhet t’i ketë urgjentisht institucionet, s’e ka luksin të mbetet kështu

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, komentoi zhvillimet e fundit politike, duke theksuar se është koha që forcat politike të marrin përgjegjësi për gjendjen aktuale në vend, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se ditët e fundit ka pasur lëvizje dhe shkëmbim letrash mes partive politike, duke përfshirë partinë e parë dhe të tretë, por theksoi se tani duhet të kalohet në veprime konkrete.

“Po shpresoj që po harxhohen këto mundësi dhe  eksplorimet që po i bëjnë forcat politike. Kosova duhet t’i ketë urgjentisht institucionet. Kosova nuk e ka luksin të mbetet kështu.

Gjendja ekonomike kurrë më keq nuk ka qenë, duhet të lëvizim edhe në diplomaci. Njerëzit kanë votuar. Përgjegjësia është e madhe,” u shpreh ai.

Duke komentuar thirrjet për zgjedhje të reja, Limaj u shpreh kritik ndaj qasjes së disa partive, ndërsa dha edhe një mesazh për kulturën demokratike në vend.

“Çka është kjo: duam të shkojmë në zgjedhje! Media e lirë është kur ju jeni të gatshëm të dëgjoni kur ajo që e dëgjoni është e pakëndshme për ju. Edhe në politikë njëjtë: të gjesh marrëveshje me atë që nuk pajtohesh”, tha Limaj.