75 Mall Live Search
10:50 / E Martë, 16 Shtator 2025 / P M

E akuzuara për spiunazh te BIA nuk e pranon fajësinë

E akuzuara për spiunazh te BIA serbe, Jelena Gjukanoviq, është paraqitur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ka nisur shqyrtimi fillestar i rastit ndaj saj.

Gjukanoviq nuk e pranoj fajësinë sot në gjykatore, derisa avokati i saj, Predrag Miljkoviq kërkoi që e dyshuara për spiunazh të lirohet nga masa e paraburgimit dhe të vazhdojë me arrest shtëpiak.

Kur e dyshuara, Jelena Gjukanoviq u pyet nga trupi gjykues nëse është e punësuar, ajo tha se ende është pjesë e OSBE-së.

Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu e kundërshtoi këtë kërkesë për çka tha se për shkak të peshës së veprës dhe rrezikshmërisë që e dyshuara të ikë, masa e paraburgimit është e nevojshme.

Ndërkaq, kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri tha se për këtë kërkesë do të vendoset pas përfundimit të seancës.

Ajo dyshohet se ka vepruar në bashkëpunim për kryerjen e veprës penale “Spiunazhi”, sipas nenit 124, paragrafi 3, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu tha se Gjukanoviq akuzohet se nga data e pacaktuar, e deri në momentin e arrestimit më 28 shkurt të këtij viti, në cilësinë e zyrtares të Misionit të OSBE-së në Kosovë, me vetëdije dhe me dashje ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë.

Para rreth një jave Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj të pandehurës Jelena Gjukanoviq, për veprën penale “Spiunazh”.

Sipas provave të siguruara gjatë hetimeve, informacionet e siguruara nga J.GJ, janë transmetuar tek zyrtarët e lartë të BIA-s, përkatësisht R.G., përgjegjës i BIA-s për Rajonin e Novi Pazarit në Serbi, dhe zyrtari L.B., ku me këtë të fundit, e pandehura në disa raste edhe është takuar në Beograd të Serbisë.