E anuloi “AlbaFestival”-n, edhe gjykata e konsideron si “diskriminues” vendimin e Fehr-it

Ish-presidentja e qeverisë së kantonit të Cyrihut, Jacqueline Fehr, më 2021 kishte anuluar organizimin e festivalit “Alba Festival”, me arsyetimin se vendi ishte duke u përballur me pandeminë e COVID-19.
Në arsyetimin e saj, Fehr kishte deklaruar se në festival parashikohej pjesëmarrje e lartë e personave që ktheheshin nga pushimet në Ballkan, e që të njëjtit janë komunitet “i prekur rëndë nga koronavirusi dhe se shkalla e vaksinimit te ta është e ulët”.

Një gjë e tillë kishte shkaktuar reagim te masa, shkruan Indeksonline, me një përqindje të madhe të qytetarëve që e quajtën vendimin si “të paarsyeshëm” dhe “të padrejtë”.
Pretendimet se vendimi ishte “diskriminues” u thelluan edhe më shumë pasi Fehr nuk anuloi paradën e krenarisë për komunitetin LGBTI, por festivalin po.
“Diskriminues” e quajti edhe Gjykata Administrative e Cyrihut, në një vendim të marrë së fundmi.

Për ironi, vet Fehr ka qenë ajo që ka shpërndarë vendimin e Gjykatës, duke thënë se as asaj nuk i pëlqen të humbasë në institucione të drejtësisë.
“Është mirë të dihet se Gjykata Administrative e Cyrihut vendosë standarde strikte kur bëhet fjalë për çështjet e diskriminimit”, ka shkruar ajo.
Lidhur me vendimin e gjykatës administrative, Adem Morina, organizator i festivalit, tha për “20min”: “Vendimin e presim me shumë kënaqësi. Ne nuk prisnim asgjë tjetër”.
Me gjithë Fehr-in që ka kërkuar falje, festivali më i madh i shqiptarëve në diasporë është rikthyer më i fuqishëm së kurrë, me organizime të jashtëzakonshme nga viti në vit.
Për vendimin që mori gjykata kanë raportuar edhe shumë media zvicërane, të cilat kanë ndjekur me vëmendje zhvillimet që janë konsideruar si “diskriminuese” dhe “nënvlerësuese” për komunitetin shqiptar në Zvicër./Indeksonline/

